Dokumentet sekrete të NATO-s e Pentagonit në rrjetet sociale, SHBA nis hetimin!

08/04/2023 08:14

Pentagoni ka nisur me urgjencë hetimet mbi ato që duken të jenë screenshot-e të informacioneve të klasifikuara ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s në lidhje me Ukrainën e që po qarkullojnë në mediat sociale.

CNN thotë se ka analizuar disa nga imazhet e shpërndara në Twitter dhe Telegram, por nuk është në gjendje të verifikojë nëse ato janë autentike apo jo. Zyrtarë amerikanë pohojnë se ka pjesë të vërteta në këto dokumente shumë nga të cilat janë të dhëna ditore inteligjence të Pentagonit në lidhje me luftën, por thonë se në disa vende ato janë redaktuar.

Mykhailo Podolyak, këshilltari i kreut të Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelensky, tha në kanalin e tij Telegram se beson që pas kësaj rrjedhjeje informacioni qëndrojnë rusët. Ai insiston se dokumentet e shpërndara nuk janë autentike, nuk kanë “asnjë lidhje me planet reale të Ukrainës” dhe bazohen në masë të madhe në “informacione fiktike”. Shfaqja e këtyre dokumenteve megjithatë, qofshin ato të vërteta apo jo, ka shtuar vëmendjen tek kundërofensiva e planifikuar ukrainase, se kur do të nisë ajo dhe nëse palët po përgatiten për një gjë të tillë.

Njëra prej pamjeve që qarkullon në profilet ruse në Telegram tregon kopjen e një dokumenti të titulluar “Ndërtimi i fuqisë luftarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës nga SHBA, aleatët dhe partnerët”. Dokumenti i muajit shkurt dhe i shënuar si “sekret”, liston sasitë e disa sistemeve të armëve perëndimore që ka zotëron aktualisht Kievi, sa është parashikuar të jenë sistemet shtesë dhe trajnimin që Ukraina pritet të ketë mbi këto sisteme.

Dosjet përfshijnë grafikë dhe harta që tregojnë vendndodhjet e forcave ushtarake dhe armatimit në Ukrainë që nga 1 marsi. Një grup i dytë duket se detajon “sekretet e sigurisë kombëtare amerikane jo vetëm nga Ukraina, por edhe në Lindjen e Mesme e deri në Kinë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA