Kristianët në Itali shënojnë Pashkët me rikrijim të Kryqëzimit të Krishtit, në Meksikë kurora gjembash për besimtarët në ritualet e sakrificës (fotogaleri)

08/04/2023 15:48

Në këto foto shiheshin dje kristianë në të gjithë botën që rikrijonin ‘Pasionin e Krishtit’ duke kërkuar pendesë me anë të dhimbjes, në ritualet e veçanta tradicionale për të shënuar Ditën e Pashkëve.

Në qytetin piktoresk italian të Romagnano Sesia besimtarët vendas kanë transformuar për katër ditë qytetin e tyre në një “Jerusalem të vogël” sipas traditës së nderimit të Shpëtimtarit.

Skenat që vihen në jetë çdo dy vjet kërkojnë rreth  300 aktorë, që prej atyre që luajnë legjionarët romakë me kuaj, deri te Krishti, që ecin përmes rrugëve të qytetit në kodrat periferike të Novara.

Po ashtu në qytetin meksikan të Atlixco, besimtarë të zbathur, gjysmë të zhveshur e me sy të mbyllura, bëjnë një paradë rënkimesh me trupa të përgjakur nga gjëmat, në rrugët e kalldrëmta të vendit.

Copa kaktusi shihen në krahët e këmbët e tyre, teksa zinxhirë të rëndë u varen në qafë e në kavilje teksa kalojnë para turmave të emocionuara.

Për këta njerëz kjo nuk është torturë, por një traditë e vyer që luhet çdo vit prej më shumë se një shekulli në Atlixco.

Çdo vit më shumë se 100 burra marrin pjesë në rrugëtimin e njohur atje si ‘Procesión de los Engrillados’ – ose “Procesioni i Të Lidhurve”.

Shumica katolike romane e Meksikës beson se kjo është mënyra për të falënderuar dhe paguar me dhimbje për mëkatet e tyre ose të të tjerëve.

42 vjeçari Martín Cazares, i cili merr pjesë në procesion prej dy dekadash, thotë: “Ky është një akt mirënjohjeje për ato që Zoti më ka dhënë, është një mënyrë kërkimi falje për gabimet dhe të këqijat që njerëzit bëjnë, dhe lutje për përmirësimin e tyre. Kjo më ndihmon të reflektoj”.

Zinxhirat e lidhur rreth gjoksit të përgjakur të Cazares shoqërohen me një copë të kuqe që i mbulon shikimin dhe një kurorë gjembash në kokë.

Ai pret me durim radhën e tij teksa organizatorët hedhin copa kaktusi në këmbët e tij dhe të të tjerëve, duke iu ngjitur shpejt në mish.

Organizatorët thonë se historia e kësaj tradite daton prej kohës kur burri përdorte magjinë për të fituar zemrën e gruas.

Tradita thotë se burri me ndjenjën e fajit mbajti zinxhirët e rëndë përgjatë rrugës në Atlixco, çdo të premte para Pashkëve.

Tradita është zgjeruar në një paradë shumëngjyrëse mes ndërtesave koloniale dhe kishave edhe në kryeqytetin Mexico City.

“Gjembat kanë shumë dhimbje, është lodhëse, po ashtu nxehtësia e diellit, por kjo është kuptimi i sakrificës”, thotë Cazares.

Leticia Bautista, 58 vjeçe, që ka jetuar gjithë jetën ne Atlixco thotë se kur ishte e vogël shihte me tmerr sesi xhaxhai i saj merrte pjesë në paradën e dhimbjes.

Ajo thotë: “Besoj se Zoti të jep faljen me aktet e tua të kërkimit të faljes, edhe nëse nuk bën gjëra të këqija ndaj trupit tënd”.

“Për njerëzit e këtij qyteti kjo është shumë e rëndësishme sot, pas ndërprerjes së sëmundjes, është shumë e rëndësishme të rikthehemi në rrugë për të jetuar pasionin”.

FOTO GALERI
3/19
Qindra aktorë luajnë skenën e goditjeve të kamzhikut ndaj Krishtit prej rojeve romake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA