Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në një intervistë për DW flet për prioritetet e tij, fatin e Gjukanoviçit, raportet me BE dhe Serbinë e Rusinë.

DW: Ju keni premtuar luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Si do ta bëni këtë?

Milatoviç: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është ndër detyrat më të rëndësishme, sepse këto kanë përfshirë edhe drejtësinë, gjykatat, si dhe policinë dhe struktura të tjera. Milo Gjukanoviç tani ka shkuar, i gjithë sistemi i tij ka kaluar dhe tani na mbetet të luftojmë këto dukuri negative nga brenda dhe t’i kryejmë punët në një formë shumë më të mirë. Parlamenti i parë demokratik i krijuar në vitin 2020 ka bërë disa përparime në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por në opinion akoma mendohet se lufta nuk po bëhet në mënyrën e duhur dhe se kjo luftë duhet të jetë shumë më e fuqishme. Unë besoj se me ndryshimet që duhet bërë në prokurori, në gjykata dhe polici, me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe partnerëve evropianë, ne mund të arrijmë më shumë dhe më shpejtë një progres.

DW: Çfarë do të ndodhë tani me zotin Gjukanoviç?

Milatoviç: Puna ime ishte ta mund atë politikisht në zgjedhje. Ndërsa çështje e prokurorisë është të shikojë nëse ka diçka që duhet të ndiqet penalisht. Unë jam i bindur se ka gjëra të tilla, por nuk është puna ime, është punë e prokurorisë dhe organeve të drejtësisë.

DW: Mendoni se ai do të mbetet në Mal të Zi apo do të ikë nga vendi?

Milatoviç: Me rëndësi është që në Mal të Zi të krijohet një mirëbesim i plotë ndaj organeve të drejtësisë. Kjo është çështje me të cilën duhet të merren policia, prokuroria dhe gjykatat. Kur dihet se ai ka qenë simbol i krimit të organizuar dhe korrupsionit në 30-40 vitet e fundit, mendoj se ky mund të jetë edhe një prej opsioneve.

DW: Ju keni deklaruar se do të keni raporte më të ngushta me Serbinë dhe zotin Vuçiq. Ndërkohë që atje kemi një korrupsion të përhapur, shkelje të të drejtave të mediave, nuk kemi sistem të pavarur të drejtësisë. Ju thoni se do të luftoni krimin e organizuar dhe korrupsionin, e njëkohësisht doni të keni raporte më të ngushta me zotin Vuçiq. Si do ta realizoni këtë?

Milatoviç: Zoti Vuçiq është president legjitim i zgjedhur në Serbi. Ai e përfaqëson Serbinë, ndërsa ajo që kam thënë unë është që do të dëshiroja të kem raporte më të ngushta me Serbinë si shtet, e zoti Vuçiq e përfaqëson këtë vend. Si ekonomist unë mbështes të gjitha proceset e bashkëpunimit rajonal, ndërsa Serbia është vendi më i madh dhe më i fuqishëm ekonomik në këtë rajon. Ndaj unë jam i interesuar të kemi raporte të mira, siç kanë Gjermania me Francën, Greqia me Qipron dhe vende të tjera.

DW: Në festimin e fitores suaj ka pasur edhe njerëz të afërt me Rusinë. A do të thotë kjo se është rrezikuar rruga evrpiane ne Malit të Zi?

Milatoviç: Absolutisht jo.

DW: Si do ta realizoni procesin e integrimin evropian, pasi që këtë keni shpallur si një nga prioritetet tuaja?

Milatoviç: Ndjekja e procesit të integrimit evropian është bërë deri tani vetëm sa për sy e faqe, pa esencë dhe pa reformat e duhura. Ne do ta ndryshojmë këtë. Unë shpresoj se do të jemi pjesë e BE dhe se do të vendosim në praktikë vlerat evropiane.

DW: Si e vlerësoni agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ky është një agresion apo jo?

Milatoviç: Po, është sulm ndaj një vendi sovran. Mali i Zi është pjesë e integrimeve evropiane dhe shpresoj se lufta në Ukrainë do të përfundojë sa më parë. E dyta, kjo ka pasoja të rënda për të gjithë Evropën, sepe ekonomia po vuan, çmimet po rriten. Kjo ndikon negativisht edhe në turizëm, e Mali i Zi varet nga turizmi. Shpresojmë vendosjen e normalitetit dhe përfundimin sa më të shpejtë të luftës./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA