Aldo Hasani, autori i plagosjes së tre të miturve me thikë në Shkodër pas një debati, është vënë në pranga mbrëmjen e së premtes pas vetëdorëzimit në polici.
Ngjarja ndodhi mesditën e së premtes, në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë poliklinikës së qytetit në lagjen “Qemal Stafa”.
4 të rinjtë janë takuar fillimisht në një lokal dhe pas debateve kanë dalë në rrugë ku më pas kanë nisur të përplasen edhe fizikisht. Në ato momente 18-vjeçari, ka nxjerr thikën duke qëlluar një 17 vjeçar dhe dy 16-vjeçar, njëri prej tyre ka plagë të shumta dhe ndodhet në situatë me të rëndë në spitalin rajonal të Shkodrës. Ndërsa dy të tjerët kanë marrë plagë më të lehta.
Pasi ka marrë edhe ndihmën mjekësore, aty pranë në poliklinikë, policia bëri të mundur edhe shoqërimin në komisariat të njërit prej të rinjve që ishte plagosur në dorë.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Shkodër/Arrestohet autori i plagosjes së trefishtë, të ndodhur mesditën e sotme.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, ku shtetasi A. H., pas një konflikti për motive të dobëta, plagosi me thikë tre bashkëmoshatarët e tij dhe u largua, shërbimet e Komisaritait të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja të DVP Shkodër, janë vënë në ndjekje të autorit dhe kanë ushtruar kontrolle të shumta në ambiente të ndryshme, në akse rrugore dhe në lagjet e qytetit të Shkodrës.
Për shkak të presionit të Policisë dhe falë negociatave me familjarët e shtetasit A. H., u bë e mundur që rreth orës 20:00, ky shtetas të vetëdorëzohej në Komisariatin e Policisë Shkodër, për veprime të mëtejshme proceduriale. Shtetasi A. H. plagosi me mjet prerës thikë, bashkëmoshatarët e tij, shtetasit K. H., E. T. dhe Xh. P. Shtetasi Xh. P. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, ndërsa dy shtetasit e tjerë, pas ndihmës mjekësore, janë larguar në banesë. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Top Channel