Raketa nga​ Libani e​ Gaza​​ ​bien në pranë Izraelit pas sulmit të ushtrisë ndaj palestinezëve në xhaminë ​e Jeruzalemit (fotot)

06/04/2023 17:30
Policia izraelite ne xhamine e Al Aksa

Izraeli tha sot se dy raketa të improvizuara u lëshuan nga Libani në drejtim të vendit, një ditë pas sulmit të rëndë të ushtrisë që bastisi me shkopinj gome xhaminë e Al Aksa në Jeruzalem për të dëbuar besimtarët.

Goditjet me raketa nga Gaza e Libani si dhe një tjetër sulm i policisë izraelite në xhaminë e  al-Aqsa brenda dy ditëve, kanë shtuar frikat e një përshkallëzimi tjetër në konfliktin më të gjatë e më të rëndë të Lindjes së Mesme, në muajin e eventeve të rëndësishme fetare muslimane e hebreje.

Militantë palestinezë në Rripin e Gazës kishin lëshuar rreth nëntë raketa drejt Izraelit mëngjesin e sotëm, duke bërë të ndizeshin sirenat e alarmit, por pa shkaktuar lëndime ose dëme.

Dy raketa raportohet se ishin lëshuar nga palestinezët edhe dje para incidentit të rëndë, ku policia izraelite bastisi me goditje shkopinjsh gome besimtarët brenda xhamisë së shenjtë të Jeruzalemit.

Gjashtë besimtarë palestinezë u plagosën në incidentin e sotëm, njoftonte Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, por pamjet shokuese të aksionit të djeshëm me dhunë e gaz lotsjellës tronditen komunitetin me tmerrin e përcjellë.

Të paktën 12 njerëz u plagosën në sulmin e djeshëm dhe më shumë se 100 palestinezë u arrestuan.

Dita e dytë radhazi e dhunës në muajin musliman të Ramazanit dhe pashkëve hebreje vjen mes një përshkallëzimi të dhunës në konfliktin palestino-izraelit.

“Nuk jemi të interesuar për përshkallëzim por jemi gati për çdo skenar,” tha zëdhënësi izraelit i ushtrisë Daniel Hagari, sipas të përditshmes britanike The Guardian.

Gjatë natës kishte gjithashtu përplasje në qytetin verior izraelit me shumicë arabe Umm al-Fahm, ndërsa në Jeruzalem një palestinez u qëllua me armë pasi plagosi lehtë një civil izraelit.

Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, tha: “Sulmi i Izraelit në xhaminë e al-Aqsa, sulmi ndaj besimtarëve, është një shuplakë ndaj përpjekjeve të SHBA për të krijuar qetësi e stabilitet gjatë muajit të Ramazanit.

Abu Obaida, zëdhënës i grupit militant Hamas, tha: “Durimi i forcave të rezistencës në Gaza po merr fund. Ne nuk do të braktisim besimtarët në xhaminë e al-Aqsa.”

Tempulli i Malit në zonën e pushtuar të Jeruzalemit Lindor, njihet nga muslimanët si al-Aqsa ose al-Haram al-Sharif. Episodet e dhunës kanë qenë të shumta në vendin e shenjtë si për muslimanët dhe hebrejtë.

Muslimanët shpesh kalojnë natën në impjantin e xhamisë gjatë muajit të Ramazanit por ushtria tha se këtë vit nuk do të lejohen lutjet gjatë natës, për të paktën 20 ditët e para.

Sipas një kompromisi pas pushtimit izraelit të zonës në 1967, hebrejtë mund të vizitojnë por jo të luten aty, çka është konsideruar si një akt provokimi për përplasje.

Vitet e fundit vizitorët hebrej janë shtuar në numër, me shtimin e kolonive të reja izraelite të banimit ne zone, të cilat konsiderohen të jashtëligjshme nga komuniteti botëror.

FOTO GALERI
1/3
Goditjet me raketa nga Gaza e Libani si dhe një tjetër sulm i policisë izraelite në xhaminë e al-Aqsa brenda dy ditëve, kanë shtuar frikat e një përshkallëzimi tjetër në konfliktin më të gjatë e më të rëndë të Lindjes së Mesme

Top Channel