Zyrtarët që bastisën një pronë pranë kryeqytetit meksikan kanë sekuestruar 25 kafshë ekzotike, duke përfshirë luanë, puma dhe një tigër Bengali.
Ata ishin lajmëruar për “aktivitet të dyshimtë” në fermën në Huixquilucan, në perëndim të qytetit të Meksikos, ku gjetën gjithashtu pompa që mendohej se ishin përdorur për të vjedhur benzinë nga tubacionet e karburantit. Gjithsej 47 kafshë të gjalla ishin në pronë, disa prej të cilave mbaheshin në kafaze. Ata kapën gjithashtu shtatë kafshë të ngordhura.
Kriminelët në Meksikë shpesh mbajnë kafshë ekzotike si kafshë shtëpiake dhe një numër macesh të mëdha janë kapur vitet e fundit. Vendi ku u gjetën kafshët mendohet se është përdorur nga një bandë e specializuar në vjedhjen dhe shitjen e karburantit.
Agjentët gjetën një kontenier me 14 mijë litra naftë, si dhe disa automjete të mëdha si kamionë dhe autobusë, të cilët sipas tyre mund të jenë vjedhur.
Trafikimi i kafshëve është një biznes fitimprurës në Meksikë, me bandat kriminale që blejnë dhe shesin gjithnjë e më shumë specie ekzotike për përfitime.
Tregtia e paligjshme e florës dhe faunës vlerësohet tani të jetë sipërmarrja e katërt më e madhe e paligjshme në vend, pas trafikut të drogës, njerëzve dhe armëve, sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm meksikan për mbrojtjen e mjedisit.
Top Channel