Tetë apartamentet e 47-vjeçarit shqiptar të dënuar në Belgjikë për trafik droge janë sekuestruar pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pranoi kërkesën e SPAK.
Procedimi pasuror mbi Veip Ormënajn është regjistruar mbi bazën e akteve të administruara nga Autoritetet Belge të Drejtësisë.
Mbi të rëndojnë akuzat “Trafikim i substancave narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
Apartamentet që ai zotëronte dyshohet të jenë blerë me të ardhura nga veprimtaritë kriminale.
Veç pasurive të paluajtshme, janë sekuestruar edhe depozita në shumën prej 190.013.78 eurosh dhe 68.987.00 eurosh.
Njoftimi i plotë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin pasuror nr.6 datë 23.02.2023, në ngarkim të shtetasit V. O., i datëlindjes 27.04.1976, lindur dhe banues në Fier.
Ky procedim pasuror është regjistruar mbi bazën e akteve të administruara në kuadër të referimit pasuror nr. 2769 datë 22.02.2023, ardhur nga Autoritetet Belge të Drejtësisë, në ngarkim të shtetasit V. O.
Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi V. O. është dënuar në Belgjikë me vendimin penal. Nr. 2012/CO/277, për veprat penale të “Trafikim i substancave narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, parashikuar nga nenet 283/a dhe 333/a i Kodit Penal.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit V. O., rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i ketë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale.
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenet 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (i ndryshuar) është paraqitur kërkesë për sekuestrimin e pasurive të shtetasit Veip Ormënaj .
Nga ana e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.13 datë 31.03.2023, është vendosur:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sekuestrimin e pasurive të subjektit nën hetim pasuror Veip Ormënaj, si dhe të personave të lidhur si më poshtë:
1. Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme me sipërfaqe totale 775 (shtatë qind e shtatëdhjetë e pesë) m2, e cila gjendet në Orikum, Vlorë dhe më konkretisht:
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 220.80m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 216.50m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 47.50m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 44.30m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 48.m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 58.70 m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 46.30.m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 93.m2
Për sa i përket shumave të parave të administruara nga Bankat e nivelit të dytë, është vendosur sekuestro të shumave që ndodhen ne llogaritë si më poshtë:
• Depozita në shumën prej 190.013.78 Eurosh.
• Depozita në shumën prej 68. 987.00 Eurosh.
Vendimi nr.13 datë 31.01.2023, është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Shtetit sot në datën 05.04.2023.
Verifikimet pasurore lidhur me këta subjekte vijojnë deri në dokumentimin e plotë.
Top Channel