Në Hagë po vazhdon gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të martën fjalën e mori në një deklaratë jo në betim edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

Ai tha se beson në paqen, të vërtetën e drejtësinë dhe se është krejtësisht i pafajshëm. Dita e dytë e gjykimit ishte e rezervuar për mbrojtjen e të akuzuarve.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi në argumentet e tij thotë se vetë Thaçi nuk kishte fuqi për të ndikuar mbi UÇK-në, pasi që pozita që mbante nuk ia mundësonte një gjë të tillë.

Për të përforcuar argumentin e tij, avokati shfaqi edhe deklarata të komandantëve të zonave operative të ndryshme që e kërcënonin Thaçin, në kohën kur ai kishte shkuar për marrëveshje në Rambuje. Megjithatë, mbrojtja e ish-presidentit u shpreh se edhe Thaçi e ka pranuar që janë kryer krime, po jo nga UÇK-ja.

Tutje, pjesë e argumentimit të mbrojtjes për pafajësinë e Thaçit ishin edhe masakrat e dëbimet që kreu Serbia në Kosovë. Sipas avokatit, këto krime ndaj popullatës civile kanë nxitur ndjenjën e hakmarrjes nga kushdo, por jo nga UÇK-ja dhe Hashim Thaçi.

Gjatë së martës para turpit gjykues do bëjë deklaratën hapëse edhe mbrojtja e Rexhep Selimit e po ashtu edhe vetë Selimi do të bëjë një deklaratë jo nën betim.

Top Channel