Përfaqësuesi Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas në një konferencë të përbashkët për median me kryeministrin Edi Rama, shpalosi planet mbështetëse për vendin tonë në fusha si  përmirësimi aftësive  digjitale për fëmijët, rezistencë financiare të aseteve fizike, përmirësimin e infrastrukturës, përmirësimin e menaxhimit të katastrofave në përgjithësi, përfshi rritjen e konkurueshmërisë në sektorin e bujqësisë.

“Kuadri i ri për partneritetin i vë në dispozicion Shqipërisë për 4 vitet në vijim 900 milionë euro, tranzhi i parë i projekteve është 360 milionë euro dhe presim një tjetër projekt që të miratohet së shpejti për 60 milionë euro. Për t’ju dhënë një ide të objekteve apo fushëveprimit të projekteve, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës kemi punuar për një projekt, i cili do të trajtojë urat në rrezik nga goditjet natyrore.”

Kryeministri Edi Rama tha se  jemi në kushtet e një faze të re në jetën ekonomike dhe sociale të vendit dhe kemi hedhur të gjitha bazat e nevojshme për të bërë një kapërcim tjetër, drejt objektivave të shpallura për “ “Shqipëria 2030’’.

 “Të ardhurat për banorë në vit në Shqipëri janë rritur nga 3300 euro kur ne morën detyrën, 6190 euro sot. 87.5 %, gati dyfish. E për të mos bërë krahasime të tjera me kur morëm detyrën, po bëjmë krahasime vetëm me veten dhe me vitin përpara krizës së madhe të pandemisë dhe gjithë atyre që pasuan”- tha Rama.

Sikurse kryeministri Edi Rama e ka theksuar me forcë javët e fundit rëndësinë e kapitalit njerëzor për bizneset shqiptare, këtë e përforcoi edhe përfaqësuesi  Bankës Botërore në Shqipëri.

“Ne mendojmë që në të ardhmen sfida jonë është që të krijojmë vende më të mira pune, mundësi më të mira, për të shfrytëzuar maksimalisht talentin e njerëzve këtu në vend dhe për të krijuar stimuj që njerëzit të qëndrojnë këtu dhe të kenë jetë produktive në vend. Të gjithë ne jemi të shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, por ne mendojmë që së bashku mund të vazhdojmë trajektoren në kuptimin e forcimit të kapitalit njerëzor dhe jetët produktive në vend.”|

Si recetë shërimi për uljen e numrit të atyre që largohen,  përfaqësuesi Bankës Botërore dha të  vijuarin  me përmirësimin e shëndetësisë, arsimimit, të mbrojtjes sociale dhe të shërbimeve publike.

Top Channel