Mbrojtja e Thaçit: Prokuroria e Specializuar duhet të provojë se kishte konflikt të armatosur deri në shtator

04/04/2023 14:30

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiç tha se Prokuroria e Specializuar po bie në kundërshtim me disa vendime të mëparshme që ishin marrë nga Tribunali i Hagës për krime lufte për ish-Jugosllavinë.

Duke cituar disa ish-vendime shfajësuese të Tribunalit, Mishetiç tha se ishte vërtetuar se nuk ka pasur sulm sistematik dhe të gjerë ndaj civilëve në Kosovë dhe se nuk ka pasur politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të shënjestruar kundërshtarët.

“ZPS-ja duhet të thotë tani se të gjitha institucionet që i kanë trajtuar këto çështje më herët i kanë pasur konstatime të gabuara”, tha ai.

Sipas avokatit mbrojtës, në mënyrë që Prokuroria të vërtetojë akuzat për krime lufte, ata duhet të konstatojnë se lufta apo konflikti i armatosur ka vazhduar edhe pas qershorit të vitit 1999.

Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiç tha se Tribunali Ndërkombëtar në Hagë ka thënë se konflikti i armatosur në Kosovë kishte përfunduar në mes të qershorit të vitit 1999.

Sipas tij, këtë pohim, e kishte bërë edhe Clint Williamson, prokurori amerikan i angazhuar për të hetuar nëse UÇK-ja ka kryer krime.

Por, aktakuza e ZPS-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së heton krimet deri në shtator të vitit 1999.

“Prokuroria e Specializuar duhet të provojë se kishte konflikt të armatosur deri në shtator”, tha Mishetiç.

“ZPS-ja thotë UÇK është përfshirë në sulme të zgjeruara dhe sistematike ndaj popullatës civile dhe ekzistonte konflikt i armatosur deri në shtator të vitit 1999”, theksoi ai.

Top Channel