Zëvendëskryeministri i parë për Integrimin Evropian, Zhvillimin dhe Dialogun e Kosovës, Besnik Bislimi, zhvilloi një takim me komisionerin europian Oliver Varhelyi, në Bruksel.

Takimi u fokusua në bisedime mbi arritjet e Kosovës, rrugëtimin në integrimin evropian të vendit dhe hapat e ardhshëm.

Vëmendja e Qeverisë është e orientuar fuqishëm kah zbatimi i reformave në kuadër të agjendës evropiane.

Të dyja palët treguan detajet e takimit me postimet në Twitter, ndërsa shoqëroheshin me foto.

“Nisja e ditës me Besnik Bislimin duke diskutuar axhendën e reformave të BE-së dhe detyrat përpara nesh dhe se si Komisioni do të jetë në gjendje të ndihmojë zbatimin e rezultateve kur dialogu Beograd – Prishtinë të jetë i suksesshëm”, shkruan Varheli.

Nga ana tjetër Bislimi tregoi mesazhin e përkushtimit dhe angazhimit të Kosovës për të ecur bindshëm drejt Bashkimit Evropian.

“Qëndrimi im në Bruksel sot filloi me Komisionerin Oliver Varhelyi ku diskutuam për suksesin dhe arritjet e Kosovës, rrugën tonë të domosdoshme evropiane dhe hapat e ardhshëm që duhet të ndjekim. Përkushtimi dhe përgjegjësia është rruga përpara drejt së ardhmes sonë në familjen evropiane”, shkruan Bislimi në Twittter.

Njëkohësisht ai përmendi edhe vazhdueshmërinë e progresit të ligjit kundër krimit të organizuar, politikat sociale, dhe zhvillimin ekonomik.

Ai e falënderoi komisionerin për bisedën, gjithashtu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës.

Top Channel