Një person është arrestuar dhe bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim, pasi grabitën nën kërcënimin e armës një pronar servisi në Kamëz.
Saimir Karoshi, 35 vjeç dhe Q. H., 32 vjeç, të dy banues në Paskuqan, i morën varësen dhe orën e dorës, pronarit të një biznesi, duke e kërcënuar me armë zjarri.
Nga veprimet hetimore dyshohet se Saimir Karoshi, në bashkëpunim me Q. H., në një biznes (pikë për shitjen e automjeteve), në Bathore, Kamëz, i kanë marrë pronarit të biznesit, Xh. Sh., orën e dorës dhe varësen që kishte vënë.
Gjatë kontrollit në banesat e autorëve të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 3 ora dore, 2 varëse dhe 2 byzylykë floriri, me vlerë të konsiderueshme, të dyshuara të vjedhura, një sasi municioni luftarak, një aparat celular dhe automjeti që dyshohet se kanë përdorur autorët për t’u larguar pas vjedhjes.
Policia thotë se vijon puna për kapjen e shtetasit Q. H., si dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas dhe nga shtetasi i arrestuar Saimir Karoshi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel