Në komisionin parlamentar të integrimit, Taulant Balla anëtar i këtij komisioni ngriti shqetësimin që tashmë është temë dite në Europë dhe SHBA, se platforma sociale Tik Tok krahas argëtimit ka edhe qëllime në mbledhjen e të dhënave personale nga kompania kineze.

Amerikanët e kanë ndaluar tashmë përdorimin e Tik Tok nga administrata. Në të njëjtën linjë ishte sot edhe kreu i grupit kuvendor socialist

“Tik Tok është rrezik për sigurinë euroatlantike. Shqipëria duhet të kenë një njësim me BE në mënyrë që aplikacioni TikTok mos të përdoret në pajisjet telefonike të zyrtarëve.  SHBA ka shprehur dyshime se pas TikTok fshihet partia komuniste kineze. Të dhënat e mbledhura janë një rrezik eminent.“- u shpreh Balla.

Rrjeti social Tik Tok është bërë fenomen botëror, por rritja e shpejtë e tij ka rritur edhe shqetësimin e përdorimit nga Kina të të dhënave personale të personave që e përdorin në gjithë botën.

Amerikanët ishin të parët që reaguan dhe kërkuan ta blejnë këtë aplikacion, ndërsa një hetim është në zhvillim. Pas tyre disa vende europiane kanë marrë vendime për të ndaluar përdorimin për punonjësit shtetërore dhe në pajisjet që përdorin ata.

Edhe në Shqipëri, ka një numër shumë të madh përdoruesish të Tik Tok.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA