Dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përfunduar.
Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dolën sot para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe dyshohet të jenë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022.
Top Channel