Kreu i qeverisë, Edi Rama premtoi një rritje historike të pagave në sektorin publik.
Kryeministri gjithashtu tha se synimi i tij është që brenda vitit 2024 paga mesatare të kapë vlerën e 900 eurove.
” Është një reforme e të gjithë strukturës të pagave të Shqipërisë. Pagat do të rriten për të gjithë. ”
Një lajm i tillë është mirëpritur nga të gjithë punonjësit e administrates e jo vetem. Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshqimi tregon impaktin e këtij lajmi në shoqëri.
“Efektet pozitivi te rritjes se pagës mesatare, konkretisht: të punësuarit do të kishim më shumë të ardhura, duke pasur më shumë të ardhura ato do të kishin një buxhet personal apo financiar më të konsoliduar. Do të kishin mundësi të blinin më shumë mallra dhe shërbime që do të thotë që edhe bizneset indirekt do te rrisnin marzhet e fitimit. Një tjetër element shumë i rëndësishëm i parë në aspektin makro-ekonomik është fakti që skema e pensioneve do të kishte më shumë pozitivitete, me shume pluse për shkak se do të kishte më shumë të hyra nga kontributet”, ka thënë Romina Radonshiqi.
Ndërkohë një vendim i tillë për administratën publike pritet që të ndikojë edhe në sektorin privat.
“Indeksimi i pagave te sektorit publik patjetër është një sinjal që dhe në sektorin privat pagat do të ngrihen edhe pse jo te ngrihen akoma metepër ku dhe sektori privat te ketë kushte më të mira pune ku dhe orët shtese në sektorin privat te paguhen pasi sektori privat aktualisht po përballet me një nga sfidat më të mëdha, sfidën e mungesës së fuqisë punëtore”, ka thënë Romina Radonshiqi.
Nga ana tjetër ekspertit Eduart Gjokutaj, është i mendimit se rroga e lartë e administratës do të sjellë rënie të investimeve.
” Mendoj që në momentin që janë deklaruar janë bërë disa llogari përsa i përket tendencave të buxhetit dhe fondit të pagave. Po flasim gjithmonë për sektorin publik, do të kufizohen shpenzime të tjera që mesa duket do t’ja marrin investimeve, apo buxhetit në mirëmbajtje. Besoj që me sforco edhe mund të arrihet edhe pse më tepër duket si premtim elektoral”, është shprehur eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.
Vëmendja e qeverisë gjithashtu u ndal edhe tek pensionistët, të cilët në muajin prill do të marrin edhe një shpërblim prej 5000 lekësh.
Top Channel