Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Bayernit, Oliver Kahn, tha se sulmuesi Sadio Mané është ende në kërkim të vendit të tij në skuadrën bavareze.
Ish-“gardani” i famshëm shpjegoi se senegalezi ka gjetur konkurrencë të fortë në të gjitha pozicionet kur mund të luajë.
“Sadio është një fenomen në mënyrën e tij. Ai ende po e kërkon veten te Bayerni. Nuk mendoj se te Liverpooli ka përjetuar një situatë të ngjashme. Nuk ka gjetur këtë nivel konkurrence”, tha Kahn në një deklaratë për mediet e vendit të tij.
Te Bayerni, pozicionet anësore mbulohen nga Kingsley Coman, Serge Gnabry, Leroy Sané dhe vetë Mané. Përveç kësaj, në disa ndeshje kanë luajtur si anësorë edhe Joao Cancelo dhe Jamal Musiala.
“Ai gjithashtu ka luajtur në qendër. Papritmas Choupo-Moting u shfaq në formë të shkëlqyer dhe shënoi në vazhdimësi. Kjo është situata. Si çdo lojtar në skuadër, ai po konkurron për vendin e tij”, shtoi Khan.
Kahn tha se pavarësisht situatës aktuale të Mané, i cili ulet shpesh në stol, është një lojtar i domosdoshëm për të cilin duhet të kujdesen bordi i drejtorëve dhe trajneri.
Deri më tani, Mané ka luajtur 28 ndeshje për Bayernin, duke hyrë si zëvendësues në gjashtë sfida. Ai ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë gjashtë asistime.
Top Channel