Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws tha se procesi gjyqësor duhet të përqendrohet në atë që të zbulohet e vërteta dhe po ashtu është e rëndësishme “që të pranohet faji”.
“Ata kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”, tha ai.
Sipas tij, për viktimat shqiptare janë bërë përpjekje “që të turpëroheshin dhe të mos flisnin”, por sipas tij kjo nuk ka funksionuar.
Ndërkaq, viktimat serbe të këtij rasti, sipas Laws, nuk ishin subjekt “i të njëjtës trusni. Çmimi që u desh të paguanin ishte jeta në mërgim”, tha ai.
Mbrojtësi i viktimave po ashtu kërkoi që gjykimi të përqendrohet në pranimin “e dëmit” që u është shkaktuar viktimave.
Laws theksoi se për shumicën e viktimave, nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte diçka “e paimagjinueshme”.
“Ata [të akuzuarit] ishin persona të fortë. Në qoftë se ata kanë qenë duke i bërë këto krime, me siguri nuk kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”, tha ai sipas REL.
Mbrojtësi i viktimave tha se ata ishin komuniteti shqiptar, serb dhe rom, dhe se ishin myslimanë, katolikë dhe ortodoksë.
“Edhe pse të gjithë janë të klasifikuar në një grup, ata janë 140 individë”, tha ai.
Laws tha se pavarësisht dallimeve që kanë viktimat, “ata janë të bashkuar në dëmin që kanë pësuar”.
“Pikëllimi, dhimbja, humbja dhe padrejtësia nuk njihnin dallime. Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”, theksoi ai.
Mbrojtësi i viktimave tha po ashtu se viktimat janë etiketuar si “tradhtarë” dhe kanë kërkuar që për secilin prej tyre, përmes fakteve, të dëshmohet e kundërta para kësaj gjykate.
“Ata e shohin veten se janë etiketuar si tradhtarë. Viktimat që ne përfaqësojmë i kundërshtojnë këto etiketime. Por, etiketimet të vrasin. Disa prej tyre janë të frikësuar për hakmarrje”, theksoi ai.
Top Channel