Java e 27-të regjistroi dhe javën e fundit të fazës së tretë të kampionatit shqiptar.
Skuadrat bëhen gati për ndeshjet e fundit të sezonit, që do të përcaktojnë dhe verdiktet përfundimtare në Abissnet Superiore. Kur është luajtur ¾ e sezonit, kampionati është një ekuacion me shumë të panjohura.
Gara për titullin, Europa dhe mbijetesa premtojnë rivalitet të fortë në 9 javët e fundit. Në një sezon të gjatë, skuadrat kanë patur oshilacione, çka e ka bërë garën akoma dhe më të fortë. Partizani mban vendin e parë me pikë të barabarta me Tiranën. Në fazën e parë, të kuqtë grumbulluan 19 pikë, ndërsa nuk morën më shumë se 11 pikë në të dytën.
Por, në të tretën, “Demat” kanë bërë më mirë, duke marrë 17 pikë. Tirana pati kulmin e saj në fazën e dytë, duke marrë 19 pikë, ndërsa ka grumbulluar vetëm 13 pikë në këtë fazë. Më pak edhe se në fazën e parë, kur bardheblutë grumbulluan 15 pikë.
Egnatia ka patur stabilitet sa i takon rezultateve, duke ardhur në rritje fazë pas faze. Rrogozhinasit morën 12 pikë në fazën e parë, 14 në të dytën dhe 15 në fazën që lamë pas, duke qenë aktualisht forcë e tretë e kampionatit.
Vllaznia nuk e ka ruajtur dot ritmin në fazën e tretë. Pasi mori nga 14 pikë në dy fazat e para, kuqeblutë kanë grumbulluar vetëm 10 pikë në këtë fazë të tretë. Skuadra shkodrane ka lëshuar terren nga objektivi fillestar për titullin kampion.
Erzeni ishte surpriza e bukur e këtij kampionati duke qenë në javët e para të renditjes mes skuadrave kryesues. Shijakasit pasi morën 15 pikë në fazën e parë, kanë marrë nga 1 pikë më tepër fazë pas faze. Kukësi ka bërë kthesën në këtë fazë të tretë, teksa nisja e sezonit ishte e vështirë. Në fazën e parë verilindorët grumbulluan 11 pikë.
Ndërkohë që zhgënjyen plotësisht në të dytën, duke marrë vetëm 8 pikë në 9 ndeshje. Faza e tretë u shoqërua me formë të mirë, duke marrë 16 pikë, një më pak se Partizani kryesues. Pikë që ndihmuan Kukësin të largohej nga zona e ftohtë.
Teuta gjithashtu ka qenë larg pritshmërive këtë sezon, teksa në fazën e parë ishte ekipi që u rendit i fundit. Por në dy fazat pasuese, “Djemtë e Detit” siguruan nga 14 dhe 13 pikë. Duke reaguar e duke dalë nga fundi i klasifikimit.
Bylis ndodhet në ujëra jo të sigurta. Ballshiotët morën 11 pikë në fazën e parë dhe nga 9 pikë në fazën e dytë dhe të tretë. Në fund, Kastrioti ka patur një rendiment në zbritje duke marrë 10 pikë në fazën e parë, 9 në të dytën e 8 në të tretën.
Nëntë javët e fundit do të jenë shumë përcaktuese për fatin e këtij sezoni, me të gjitha skuadrat që kanë diçka për të arritur. Nga Partizani e Tirana që luftojnë për titullin, e deri tek Bylisi e Kastrioti që mbyllin renditjen, kanë mundësitë e tyre për të arritur objektivat në këtë edicion.
Top Channel