Dy humbje jete nga aksidentet! Makina përplas këmbësorin në Tiranë! Në Sukth, makina aksidenton motorin

03/04/2023 15:35

Këto janë pamjet e aksidentit fatal të shënuar mbrëmjen e së dielës në aksin Manëz-Mukth pranë fshatit Vardardhë, ku një motoçikletë u përplas nga pas nga një makinë.

Dhe pasi 2 personat që po udhëtonin me të gjendeshin në rrugë të plagosur një tjetër mjet kalon sipër një prej të plagosurve duke i marrë jetën. Të dy drejtuesit e mjeteve nuk ndaluan për tu dhënë ndihmën e parë të plagosurve. Pas disa orësh hetime policia mundi të identifikojë dhe vërë në pranga drejtuesit e mjeteve 23 dhe 66 vjeç.

Po gjatë pasdites së të djelës një person ende i pa identifikuar humbi jetën në zonën e unazës së re në kryeqytet pasi u përplas nga makina kur po kalonte rrugën.

Tabela në vendngjarje tregon se është krejtësisht e ndaluar kalimi i rrugës në këtë aks rrugor pasi është e rrezikshme dhe automjetet e kanë të lejuar të lëvizin me një shpejtësi 80 km në orë. Por pavarësisht sinjalistikës dhe rrezikshmërisë një person tentoi të kalonte rrugën dhe u përplas nga një makinë për vdekje.

Pas ngjarjes policia ndaloi drejtuesin e mjetit ndërsa trupi i viktimës ndodhet në morgun e Tiranës, i pa identifikuar.

Por pavarësisht kësaj ngjarje të rëndë duket se banorët e zonës nuk janë ndërgjegjësuar por vijojnë të ecin mes makinave duke rrezikuar jetën.

Aksidenti që rezultoi fatal për këmbësorin ndodhi rreth 100 metra larg këtij mbikalimi ku ai mund të ecte pa rrezikuar jetën. Po përveç kësaj kjo ngjarje tregon një problematikë të kësaj zone ku rreth 5 km rrugë me shumë pallate në të dy anët e saj ka vetëm një mbikalim.

Gjatë vitit të kaluar 85 aksidente kanë ndodhur për faj të këmbësorëve dhe 55% e tyre në zonat urbane. Nisur nga kjo situatë Policia rrugore e kryeqytetit ka propozuar vjeljen e gjobave ndaj këmbësorëve për t’i ndërgjegjësuar ata. Gjobat variojnë nga 10 deri në 20 mijë lekë të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA