BE: Gati të bashkëpunojmë me presidentin e ri malazez, “do e tërheqim” në Europë

03/04/2023 13:31

Analistët të shumtë kanë shprehur shqetësimin se rruga e Jakov Milatovicit dhe partisë së tij në rritje “Europa tani” nuk do të jetë pikërisht ajo e politikave pro-Bashkimit Europian, siç ai vetë pretendon.

Ata paralajmërojnë se marka e populizmit e kësaj partie mund të shkaktojë lëkundje përballë çështjeve të vështira me të cilat përballet një nga demokracitë më të reja të kontinentit, përfshirë këtu: ndarjet politike mbi identitetin serb dhe malazez, marrëdhëniet me Beogradin dhe Kishën Ortodokse Serbe, si dhe ndikimin rus në rajon.

Pavarësisht kësaj, BE-ja u shpreh e gatshme të bashkëpunojnë me presidentin e ri të zgjedhur të Malit të Zi duke shprehur bindjen se ky shtet do të mbetet i përkushtuar për rrugën europiane. Në të njëjtën kohë, Brukseli ka bërë ftesë për stabilitet politik në vend, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i reformave dhe të arrihet përparim në negociatat e anëtarësimit.

“BE-ja do t’i jap vlerësimet e veta zyrtare pasi të bëhet publik raporti i Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve. Megjithatë, në përgjithësi presim të bashkëpunojmë me presidentin e ri dhe me të gjithë partnerët politik në Podgoricë për t’i ndihmuar Malit të Zi të mbetet fuqishëm në rrugën e integrimeve evropiane… prioriteti duhet të jetë sundimi i ligjit dhe vazhdimi i reformave në drejtësi, ashtu siç është kërkuar nga raportet përkatëse të Komisionit Europian”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Millatovic, i cili e ka kryer një pjesë të shkollimit të tij në Perëndim, është përpjekur t’i qetësojë si malazezët pro-europianë, ashtu edhe të huajt, që kanë shprehur shqetësime se çështjet e identitetit kombëtar dhe afrimiteti me Serbinë fqinje dhe Rusinë mund ta pengojnë vazhdimin e integrimit evropian të Malit të Zi. Ai ka vazhduar të premtojë se do të jetë njeriu që “do ta çojë Malin e Zi në Bashkimin Europian”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA