Votuesit në Bullgari votojnë sot për zgjedhjet parlamentare, të pestat në vend në dy vjet.

Sondazhet tregojnë se as ky votim nuk do të mund t’i japë fund ngërçit politik që e ka kapluar vendin më të varfër dhe një nga më të korruptuarit të BE-së.

Më shumë se 5.600 kandidatë që përfaqësojnë 14 parti politike dhe shtatë koalicione partiake kanë kandiduar për të zënë 240 ulëset në Asamblenë Kombëtare, parlamentin e Bullgarisë. Një parti duhet t’i sigurojë të paktën 4 për qind të votave për të fituar ulëse në parlament.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit sipas kohës lokale dhe do të mbyllen në orën 20:00. Analistët thonë se pjesëmarrja mund të pengohet nga një valë kërcënimesh me bomba të kësaj jave, që çuan mbylljen e shkollave që do të funksiononin si qendra votimi.

Bullgaria është qeverisur kryesisht nga qeveritë e përkohshme të emëruara nga presidenti Rumen Radev. Kjo pasi zemërimi i grumbulluar për vite të tëra për korrupsion u shndërrua në protesta masive në vitin 2020. Kriza politike e ka shtyrë Bullgarinë të shtyjë miratimin e euros si valutë deri në vitin 2025.

Vendi ballkanik me afro 8 milionë banorë, i dyti më i korruptuari në BE sipas Transparency International, po lufton gjithashtu me inflacionin e rritur që po pengon rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia Covid 19. Bullgaria kishte normat më të larta të vdekshmërisë nga Covid 19 në BE, për shkak të përqindjes së ulët së të vaksinuarve.

Partia e qendrës së djathtë GERB, e cila drejtonte qeverinë kur shpërthyen protestat, dhe koalicioni pro-evropian i Ne Vazhdojmë Ndryshimin dhe Bullgaria Demokratike pritet të kryesojnë në votime, njësoj si në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar.

Votimet e fundit ishin ndjekur nga përpjekje të shumta të dështuara nga partitë për formimin e një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të ketë vëzhgues në terren për të vëzhguar votimin.

Frika se mund të manipulohet me rezultatin e zgjedhjeve është shtuar shkaku i një vendimi të zyrtarëve zgjedhorë për ta kufizuar përdorimin e makinerive elektronike të votimit dhe për t’u kthyer në fletëvotimet e letrës.

Pas fushatës zgjedhore, kreu i Televizionit Kombëtar Bullgar, Emil Koshlukov, pranoi publikisht se debatet nuk kishin qenë gjë tjetër veçse “parodi”. Ai u kërkoi falje shikuesve dhe prezantuesve televizivë që u detyruan të dëgjonin “marrëzitë e plota”.

Më 2 shkurt, Radev shpërndau parlamentin dhe njoftoi për zgjedhje të parakohshme pasi gjashtë përpjekje për formimin e një qeverie kishin dështuar që nga korriku i vitit 2022.

Kjo erdhi pasi qeveria pro-perëndimore e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, u rrëzua në qershor përmes një vote mosbesimi në parlament pas vetëm gjashtë muajsh në pushtet.

Daniel Smilov, profesor në Universitetin e Sofjes, parashikon se votimi nuk do t’i japë fund ngërçit politik të vendit.

“Fatkeqësisht, nuk shoh një zgjidhje të lehtë dhe shumë të shpejtë të situatës”, tha Smilov për REL-in.

Paqëndrueshmëria do të vazhdojë të ketë ndikim negativ në Bullgari, shtoi Dimitar Beçev, pedagog në Universitetin e Oksfordit.

“Po, paqëndrueshmëria është e keqe, jo aq për shkak të Ukrainës sepse Bullgaria do të vazhdojë të kontribuojë, por për shkak të hyrjes së vonuar në eurozonë”, tha Bechev për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarisht, Bullgaria, gjithashtu anëtare e NATO-s, ishte një nga vendet e fundit të BE-së që i ofroi zyrtarisht Ukrainën ndihmë ushtarake. Por, jozyrtarisht, Bullgaria besohet se mund t’i ketë dhënë më shumë ndihmë.

Petkov tha së fundi se vendi i tij kishte furnizuar në fshehtësi Ukrainën me municion dhe naftë në muajt e parë pasi Rusia filloi pushtimin e saj më 24 shkurt 2022.

Top Channel