Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar për 14 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Përmes një mesazhi në Twitter, ambasada e SHBA vlerëson partneritetin me Shqipërinë, duke e konsideruar atë si një anëtare vendimtare të Aleancës, e cila ka treguar përkushtim në promovimin e paqes dhe sigurisë.
“Sot bëhen 14 vjet nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria ka qenë që atëherë një kontribuues aktiv në përpjekjet e mbrojtjes kolektive dhe stabilitetin rajonal. Si një anëtare vendimtare e NATO-s, Shqipëria ka treguar përkushtimin e saj për të promovuar paqen dhe sigurinë dhe ka luajtur një rol jetik në mbështetjen e misioneve dhe operacioneve të drejtuara nga NATO. Si një aleat dhe partner krenar, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të fortë me Shqipërinë dhe mezi pret të vazhdojë të punojë së bashku drejt synimeve tona të përbashkëta për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë”, shkruan ambasada e SHBA.
Por si rrodhën ngjarjet deri në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO? Gjatë regjimit komunist Shqipëria ishte pjesë e Traktatit të Varshavës, blloku ushtarak i vendeve komuniste të Evropës, ku ishte anëtarësuar që në vitin 1955, ndërsa u largua nga ky bllok në vitin 1968.
Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, në vend u përcaktua orientimi euro-atlantik, duke nisur edhe procesi i anëtarësimit në organizatat dhe nismat ndërkombëtare. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar në disa faza dhe zhvillime, që fillojnë në vitin 1992, me pranimin e vendit zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut.
Deri në ftesën për anëtarësim në vitin 2008, autoritetet shqiptare vazhduan përpjekjet rreth procesit të anëtarësimit duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t’i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë 14 vite më parë. Një nga momentet e rëndësishme para anëtarësimit është maji i vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut së bashku me SHBA-në nënshkruan “Kartën Adriatik 3 – SHBA”, që sipas autoriteteve shqiptare u konsiderua si një nismë që do të përgatiste anëtarësimin e vendeve në NATO. Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit më 2 prill të vitit 2008.
Më 25 prill të po të njëjtit vit Shqipëria filloi zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO, që përfshinin disa çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore, ndërsa më 9 korrik të këtij viti vendet anëtare të NATO-s nënshkruan në Bruksel protokollet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë.
Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill të vitit 2009.
Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill të vitit 2009, ndërkohë që më 7 prill në selinë e Aleancës në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Top Channel