Mashtrimet në rrjet/ Modeli i stërvitjes thotë se me fotot e tij i janë zhvatur grave mijëra paundë (fotot)

01/04/2023 15:31

Në një fenomen të përhapur gjerësisht në këto kohë krizash, mediat britanike këshillojnë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve të sofistikuara në rrjet, me shpresa për romancë apo mallra me çmime te lira, apo shpërblime financiare të gënjeshtërta.

Mashtruesit shpesh marrin identitetin e influencuesve të njohur të rrjetit për të mjelë para nga ndjekësit e tyre, ose hiqen si njerëz të zakonshëm duke ngritur gracka “romance të mundshme” ndaj përdoruesve, për të arritur objektivat e tyre të padenja.

Ish-ushtaraku britanik Farren Morgan, tashmë trajner stërvitjeje, thotë se mashtruesit financiarë shpesh hapin llogari të rreme në rrjetet sociale me identitetin e tij për të zhvatur para nga ndjekësit.

Duke denoncuar llogaritë e rreme që përdorin fotot e tij Farren thotë se manipuluesit përdorin shpesh hile si oferta stërvitjeje personale me femrat, ose kërkojnë qindra paundë nga ndjekësit për pjesëmarrje në aktivitetet e rreme.

Gënjeshtarët që hiqen si 36 vjeçari Farren, i shkruajnë ndjekëseve të tij duke u hequr sikur duan të kenë lidhje romantike me to, që më pas çon drejt zhvatjes.

Një prej ndjekëseve të atletit thotë se eshtë mashtruar me 3,000 paundë pasi u josh nga një seri mesazhesh të cilat besonte se vinin nga ai.

Madje manipuluesi që hiqej si Farren, i kërkoi asaj të takoheshin, por kishte nevojë për paratë e fluturimit për të ardhur në takim.

Farren i vërteti, i martuar, nga perëndimi i Londrës, tha: “Sa herë që bllokoj një prej tyre, ata hapin llogari të tjera. Ata madje kanë përdorur dhe foto të fëmijës tim të vogël për të krijuar profilet e rreme, kjo nuk mund të vazhdojë më.”

Vetëm gjysmën e parë të vitit të kaluar në Britani mashtrimet në rrjetet sociale llogaritet se arritën shumën  £249 milionë, sipas autoriteteve financiare vendore.

Vitimat e mashtrimeve janë kryesisht nën 30 vjeçarë, por viktimat më të moshuara zakonisht humbasin shma më të mëdha parash, thuhet në statistika.

Mashtruesit përdorin gjithashtu rrjete si Facebook për të ofruar mallra të shtrenjtë me çmime të ulura, të cilat më pas rezultojnë të rreme ose nuk dërgohen fare në destinacion.

Reklamat e zakonshme për celularë, automjete, kompjuterë apo paketa pushimesh janë nga grepat e preferuar të manipuluesve.

Ata bindin klientët të paguajnë me karta bankare dhe më pas u dërgojnë produkte të rreme ose asgjë are.

Prandaj këshillohet që kur blini në rrjetin Facebook Marketplace, kërkoni dorëzimin personalisht dhe merrni me vete një person tjetër.

Paguaj vetëm kur ke në dorë mallin dhe je i kënaqur me cilësinë e tij, shkruan rrjeti britanik TheSun.

FOTO GALERI
2/5
Manipuluesit perdorin te gjtha rrjetet sociale

Top Channel