12 njerëz të shtypur për vdekje në Pakistan gjatë shpërndarjes së bamirësive për Ramazan (fotot)

01/04/2023 17:56

Policia në Pakistan arrestoi sot tetë njerëz në qytetin jugor bregdetar të Karachi, pasi 12 njerëz vdiqën të shtypur një ditë më parë në një pikë të shpërndarjes së ushqimeve dhe dhuratave për muajin fetar musliman të Ramazanit.

9 prej viktimave ishin gra, kurse 3 ishin në moshë të mitur, sipas raportimeve.

Qindra gra e fëmijë kishin ardhur në hyrjen e një fabrike në një zonë industriale për shpërndarjen e ushqimit e dhuratave falas.

Pronarët e bizneseve japin shpesh dhurata për të varfrit gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit, në formë ushqimi apo parash.

Raportimet e para nga policia thanë se nëntë gra nga mosha 40 deri në 80 vjeç, si dhe tre fëmijë, nga 10 deri në 15 vjeç, vdiqën tragjikisht gjatë shtypjes.

Policia tha se tetë njerëz përfshi dhe pronarin e fabrikës u arrestuan, pasi nuk kishin njoftuar autoritetet për dhënien e bamirësisë për Ramazan, çka solli mungesën fatale të sigurisë në eventin tragjik.

“Drejtuesit e fabrikës nuk hapën dyert e mëdha dhe prej rrugës së ngushtë njerëzit prapa shtynin drejt derës gra të moshuara e fëmijë, që rrjedhimisht humbën jetën ose u plagosën”, tha kreu i policisë Hafeez Bugti. “Si rezultat i këtij presioni të pamasë, ata mbetën viktimë të ngjeshjes”.

Funeralet e disa prej viktimave u mbajtën sot.

Policia tha se kanë lëshuar tashmë një urdhër që çdo person apo organizatë të njoftojë paraprakisht për shpërndarje ushqimi apo artikujve në formë bamirësie.

Kreu i rajonit Sindh ku përfshihet dhe qendra Karachi njoftoi kompensim për viktimat e të plagosurit nga 1500 deri në 200 dollarë.

Që prej nisjes së Ramazanit 23 njerëz raportohet se kanë vdekur në shtypje të ngjashme në Pakistan. Sot policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në një event bamirësie ku po shpërndahej miell në qytetin veri-perëndimor të Peshawar.

Gjendja ekonomike është e vështirë në Pakistan me disa katastrofa natyrore muajt e fundit dhe inflacion që ka arritur në 40 përqind.

FOTO GALERI
2/3
Policia tha se tetë njerëz përfshi dhe pronarin e fabrikës u arrestuan, per mungesën fatale të sigurisë në event

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA