Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti i cili tha se nuk do t`ia lejojë presidentit serb Aleksandër Vuçiç vizitën në Kosovë.

Pavarësisht dëshirës së shprehur nga Vuçiç, Kurti e ka bërë të qartë se ajo është e papërshtatshme duke marrë parasysh rrethanat aktuale.

“Po flasim për njeriun që thotë se masakra e Reçakut është fabrikim, dhe asnjëherë nuk e ndryshoi këtë gjë, unë nuk mendoj që do të duhej të vinte në Republikën e Kosovës”, ka qenë komenti i Kurtit për mediat në vend, duke iu referuar ekzekutimit të 45 civilëve shqiptarë Janarin e vitit 1999, në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës.

Petkoviç u shpreh se Kurti kot mburret, sepse nuk pyetet për diçka të tillë. “Kush është Kurti që ta përcaktojë dhe t’i japë leje për vizita në krahinë presidentit Vuçiç, kur ka marrëveshje të nënshkruara që rregullojnë qartë këtë çështje?”, ishte komenti i zyrtarit serb, sipas të cilit Kurti “ka frikë” nga vizita e Vuçiçit, sepse “e di sa shumë do të thotë kjo për popullin serb në Kosovë dhe Metohi”.

Presidenti i Serbisë ka deklaruar se shpreson ta vizitojë Kosovën deri në fund të vitit. Në kuadër të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet kanë arritur mes të tjerash edhe një marrëveshje për vizitat zyrtare, e cila ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, 2014 dhe përcakton mënyrën dhe afatet kohore se kur mund të dërgohen kërkesat për vizita, si dhe tregon kur palët mund ta refuzojnë një vizitë të zyrtarëve të shtetit tjetër. Për të gjitha këto, sipas marrëveshjes, duhet informuar dhe BE-ja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA