Edhe tre makina të tjera u dogjën orët e para të mëngjesit të së premtes në veri të Kosovës.

Policia ka informuar se veturat me targa RKS janë në pronësi të qytetarëve serbë, dy në Mitrovicë të Veriut e një në Zveçan.

Një natë më herët janë djegur edhe dy vetura të tjera në Zubin Potok. Njohësit këtë e lidhin me një presion për minim të zgjedhjeve të 23 prillit.

Sulmin e ka dënuar ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog i cili thotë se është i papranueshëm shkatërrimi i pronës private me qëllim frikësimi të qytetarëve.

Në anën tjetër, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se incidente janë paralajmëruese të një pengimi të mundshëm të zgjedhjeve.

Më 23 prill në Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut qytetarët votojnë për kryetarë komune. Megjithatë pjesë e këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë Lista Serbe e po ashtu nuk pritet që të ketë pjesëmarrje të komunitetit serb në votime edhe pse janë shumicë në këto komuna.

Top Channel