Te Barcelona ëndërrojnë rikthimin e Leo Messit, i cili pritet të mos rinovojë me PSG-në kontratën që i përfundon në verë.
“Pleshti” do të luajë sërish në “Camp Nou”. Mundësi që Xavi uron të kthehet realitet. “Mendoj se nuk është koha e duhur për të folur për rikthimin e Messit. Bisedoj shpesh me Leon, por nuk është momenti i duhur.
As për të mirën e tij, as për të mirën e Barcelonës”, thekson Xavi. Trajneri vazhdon edhe më tej. “Po e trajtojmë me kujdes temën e rikthimit të Messit. Shpresojmë të ndodhë. Barça është klubi i jetës së Leos”.
Në lidhje me rikthimin e idhullit të tifozëve është pozicionuar edhe Rafael Yuste, zv presidenti i klubit spanjoll. Në një prononcim për Mundo Deportivo, drejtuesi katalanas e shpreh qartë dëshirën e tij.
“Leo dhe familja e tij janë në dijeni të dashurisë së madhe që kemi për ta. Sigurisht që më pëlqen të rikthehet, do doja ta shihja sërish pjesë të Barcelonës. Jam i sigurt që shumë tifozë mendojnë njësoj si unë.
Jam i idesë që rikthimi i Messit është gjëja më natyrale që mund të ndodhë. Kur je i dashuruar me një person, ti mund të humbësh kontaktin me të, por ti vazhdon të jesh i dashuruar.
Mendoj se Leo vijon të jetë i dashuruar me Barcelonën. Fati do e bëjë të mundur rikthimin e tij”, u shpreh Yuste, i cili theksoi se ende i dhemb fakti i largimit të Leos nga skuadra e zemrës.
Top Channel