Bastiset kantieri nëndetëseve artizanale të karteleve nga zyrtarët në Kolumbi (fotot)

31/03/2023 17:10

Autoritetet në Kolumbi kanë shkatërruar një grup trafikantësh droge që ndërtonte nëndetëse ilegale artizanale, për transportimin e kokainës dhe substancave të tjera ilegale në rrugë nënujore.

Autoritetet thanë se 12 njerëz janë arrestuar për përfshirjen e tyre në operacione, përfshi dhe drejtuesit e grupit, të identifikuar vetëm si “Pulga” e “Iván.”

Një person i tretë, “Bernardo”, i cili drejtonte financat e grupit “operacionet komerciale të kokainës drejt Evropës dhe Amerikës Qendrore”, është arrestuar sipas autoriteteve.

Ato që njihen tashmë si “narko-nëndetëset” përdoren nga grupet e organizuara të krimit për zhvendosjen e drogave nëpër botë, nga vende të Amerikës Latine si Kolumbia, Venezuela, Panamaja e të tjera.

Autoritetet në Kolumbi kanë zbuluar tashmë disa “kantiere klandestine” për ndërtimin e këtyre nëndetëseve artizanale, në zonat bregdetare të Cauca e Nariño, teksa shtojnë se baza e grupit është në Buenaventura, në jugperëndim të Bogota.

Nëndetëset e improvizuara janë përdorur prej dekadash në trafikun ilegal të Amerikës së Jugut, teksa vetëm në vitin 2021, 31 narko-nëndetëse kolumbiane janë sekuestruar, sipas rrjetit InSight Crime.

Në vitin 2022, autoritetet kapën Óscar Moreno Ricardo, i cili ndërtonte mjete të tilla të improvizuara prej dy dekadash për trafikantët.

Ekuipazhe të vogla zakonisht lundrojnë ilegalisht bashkë me nëndetëset në udhëtime që zgjasin deri në disa javë për dërgimin e drogave në destinacion.

Por praktika është e rrezikshme teksa këtë muaj një nëndetëse e tillë u kap në brigjet e Kolumbisë me katër vetë në bord, dy prej të cilëve kishin humbur jetën. Dy të tjerët u ishin dorëzuar fatit të tyre dhe prisnin ndihmë të shtrirë mbi kuvertën e mjetit.

FOTO GALERI
1/4
Nendetese ielgale e kapur ne 2020

Top Channel