Lëvizjet e shumta të automjeteve, bizneset dhe banesat në dy anët e rrugës, nuk trembën grupet kriminale për të kultivuar kanabis edhe në zona të banuara, në afërsi të qytetit të Koplikut dhe pak metër në anë të rrugës nacionale Shkodër – Hani i Hotit.
Grupi i Top Channel e kishte shumë të lehtë të gjente kraterin ku u ndërtuan 27 serat për kultivimin e kanabisit.
Kjo është gropa e krijuar ndër vite nga firmat që kanë marrë inerte dhe që sot është shfrytëzuar nga grupet kriminale për kultivimin e rreth 8000 fidanëve kanabis sativa. Pamjet tregojnë qartë se gjithçka është përshtatur për ndërtimin e serave, të cilat më pas janë shkatërruar nga policia e Shkodrës, por që gjithsesi dëshmitë e veprimtarisë kriminale kanë mbetur ende. Disa fidan kanabisi, të cilat kanë mbetur pa u shkatërruar, janë dëshmi e kultivimit të tyre në këtë zonë, vetëm 500 metër larg rrugës nacionale Shkodër – Hani i Hotit.
Ajo çfarë ka mbetur në zonë, janë vetëm thasët e përdorur për transportimin e dheut dhe plehrave kimik, tubat e ujit, plastmasë dhe hekura për ndërtimin e serave dhe disa produkte ushqimore të personit që ka ruajtur kanabisin. Si organizator, i arrestuar mbeti Nesti Velaj, i njohur edhe si Ernest Veshtaj. Por, pa kaluar 24 orë nga ky aksion, Policia e Shkodrës sekuestroi edhe 2.150 fidanë kanabis në Velipojë, duke arrestuar Fatmir Bajramin dhe duke shpallur në kërkim vëllanë e tij.
Top Channel