Krimi në familje në Tepelenë/ Bashkëshorti qëlloi veten dhe gruan me thikë, dërgohet në gjendje të rëndë drejt Tiranës

30/03/2023 15:18

Lulzim Nanaj 42 vjeç ka goditur me thikë pas një konflikti në banesë bashkëshorten e tij Floreta Nanaj 40 vjeç dhe më pas ka tentuar të vetëvritet me të njëjtin mjet prerës.

Ngjarja ndodhi në katin e dytë të një pallati në lagjen “Selam Musai” të Tepelenës. Çifti ishin prindër të një fëmijë 13 vjeç me spektër të autizmit që në momentin e ngjarjes ishte në shkollë.

Ishte një prej komshinjve që ka njoftuar policinë pasi ka dëgjuar zhurma. Efektivët kanë shpërthyer derën e banesës dhe kanë transportuar drejt spitalit të Gjirokastrës të dy bashkëshortët e plagosur rëndë.

Floreta, sipas mjekëve ka një plagë serioze në njërën nga veshkat ndërsa burri është vetëgoditur në 4 pjesë të ndryshme të trupit dhe plagën më serioze e ka në qafë. Ai mbërriti në spital në gjendje vetëdijeje dhe ka refuzuar mjekimin.

40-vjeçarja është transportuar pas ndihmës së parë në gjendje të rëndë drejt spitalit të Tiranës me helikopter ndërsa agresori Lulzim Nanaj u transportua drejt Tiranës në gjendje më të mirë me autoambulancë i shoqëruar nga policia.

Të njohurit dhe komshinjtë nuk kanë folur për konflikte të mëparshme të çiftit. Ata kishin mbërritur 5 vjet më parë për të jetuar në Tepelenë nga Salaria, dhe jetonin me të ardhura të pakta. Floreta ishte e papunë dhe kujdesej për fëmijën ndërsa burri që kreu krimin ishte punësuar në një karburant.

Policia është duke hetuar rreth ngjarjes, dëshmitare kryesore e së cilës është 40-vjeçarja që aktualisht ka humbur vetëdijen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA