Prokurorët izraelitë kanë ngritur padi ndaj dy banorëve hebrenj të kolonive të reja izraelite, për atë që përshkruhej si sulm terrorist ndaj palestinezëve në një fshat të pushtuar në Bregun Perëndimor, që erdhi në vëmendjen e grupeve ndërkombëtare.
Të ndaluarit ishin mes një grupi që gjatë festivalit fetar hebre të Purim më 6 mars sulmuan makina dhe pasagjerët e tyre në Huwara, njoftoi shërbimii brendshëm izraelit i sigurisë Shin Bet.
Dy të rinjtë hebrenj në të 20-at, po ndiqen për lëndime të rënda trupore, për të cilat prokurorët thanë se cilësoheshin si akte terroriste e vandalizëm.
Fshati palestinez Huwara ishte skena e trazirave të rënda të 26 shkurtit nga kolonët e rinj izraelitë që me mbrojtjen e forcave të sigurisë vranë një palestinez dhe dogjën disa makina të vendasve, në kundërpërgjigje të një sulmi palestinez ndaj izraelitëve dy ditë më parë.
Dy të akuzuarit e sotëm sulmuan palestinezë dhe automjetet e tyre jashtë një dyqani duke përdorur një sëpatë e duke lëshuar gurë ndaj tyre duke thërritur “Vdekje arabëve!”. Në incidentin në fjalë u plagosën dy palestinezë.
Avokati i tyre tha se po aplikon për lirimin me kusht.
Dhuna është përshkallëzuar në Bregun Perëndimor pas sulmeve të ushtrisë izraelite dhe ardhjes së qeverisë se re radikale të kryeministrit Netaniahu.
Kolonitë izraelite në tokat e pushtuara palestineze që konsiderohen ilegale nga komuniteti ndërkombëtar, kanë qenë burim i vazhdueshëm tensionesh mes ushtrisë izraelite dhe palestinezëve dhe 93% e hetimeve për dhunën e kolonëve izraelitë kanë përfunduar pa dënime, shkruan grupi monitorues izraelit Yesh Did.
Top Channel