Fotoja e një 32-vjeçari shqiptar që fshihet në çati për t’i shpëtuar policisë, e cila zbuloi shtëpinë e barit ku ai punonte, ka bërë xhiron e rrjetit në Britani.
Etmond Lika, që nuk kishte një vendbanim fiks në Liverpul, ishte i përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike. Kur policia hyri në banesën që ishte përshtatur për rritjen e kanabisit, ai doli nga dritarja dhe qëndroi mbi çati. Megjithatë, përpjekja për t’i shpëtuar efektivëve dështoi pak më vonë, kur u arrestua dhe ndaj tij ka nisur hetimi për prodhim kanabisi.
Daily Mail raporton se 32-vjeçari ka hyrë në Britani ilegalisht përmes La Manshit. Përpara Gjykatës së Liverpulit, Lika ka treguar se ka kaluar kanalin anglez përmes një varkeje të vogël kundrejt një pagese prej pesë mijë eurosh, për të pasur mundësi më të mira ekonomike, ndërsa deklaroi se ishte i pafajshëm.
Sipas gjykatës, atij i ishte ofruar një pagë prej 100 paundësh në ditë për të punuar në shtëpinë e barit. Por aventura e rrezikshme përfundoi në shkurt kur Lika u kap nga policia, ndërsa një ditë më parë gjykata dha vendimin për ta dënuar me dy vite e katër muaj heqje lirie.
Top Channel