Seanca e parë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për inceneratorin e Elbasanit ka dështuar, për shkak se mungonin avokatët.
Avokati i Etleva Kondit dhe avokati i kompanisë “Albtek Energi shpk” nuk ishin të pranishëm në senacë. Seanca e radhës u caktua me 7 prill.
Prokuroria përfaqësohej nga Klodian Braho. Prokurorët kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit të të pandehurve pasi ata u bënë shkak për shtyrjen e seancës. Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako dhe ish-ministri Lefter Koka nuk ishin të pranishëm.
Në këtë proces, janë në akuzë 10 ish-zyrtarë dhe dy kompani, me dyshimet për korrupsion aktiv, shpërdorim të detyrës dhe pastrimit të parave.
Midis të akuzuarve, të dorëzuar nga SPAK për inceneratorin e Elbasanit, është edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili në fakt nuk është i akuzuar vetëm për inceneratorin e Elbasanit, por edhe për inceneratorin e Fierit.
Po ashtu, nën hetim është ish-sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit Alqi Bllako, së bashku me nëpunës dhe anëtarë të KVO-së, të cilët kanë firmosu sa i takon dhënies me koncesion për inceneratorin e Elbasanit.
Se sa seanca do të zgjasë ky proces varet së pari nga vendimmarrja e gjyqtares së posaçme anti korrupsion, e cila do të duhet të shprehet nëse do të aplikohet apo jo gjykimi i shkurtuar, për të cilin kanë paraqitur kërkesë të gjithë të akuzuarit e SPAK në lidhje me aferat kurruptive për inceneratorin e Fierit.
Nëse Gjykata e Posaçme vendos aplikimin e gjykimit të shkurtuar, ky proces zgjat vetëm tre seanca në të cilat lexohet kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe nga ana tjetër, aplikohet mbrojtja dhe në përfundim shpallet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë.
Top Channel