Të paktën 40 të vdekur nga zjarri në qendrën e emigrantëve, mes akuzave ndaj zyrtarëve për neglizhencë e mbipopullim (fotot)

29/03/2023 17:35

Ka arritur sot në 40 numri i viktimave nga një zjarr vrasës dje në një qendër emigrantësh para kufirit të SHBA, ku të ndaluarit protestonin ndaj deportimeve nga Meksika, duke u vënë zjarrin dyshekëve të tyre.

Grupet e të drejtave kanë fajësuar për tragjedinë kushtet e rënda dhe mbipopullimin në qendër për vdekjen e emigrantëve nga Amerika qendrore e jugore, në qytezën meksikane të Ciudad Juárez, pranë kufirit me SHBA.

Zjarri kishte shpërthyer kur emigrantët mësuan se do të dëboheshin në vendet e origjinës nga autoritetet, tha presidenti meksikan.

“Ata nuk mendonin se do të shkaktonin këtë tragjedi të tmerrshme,” tha në një konferencë shtypi presidenti Andrés Manuel López Obrador, pa dhënë detaje për numrin e saktë të viktimave.

Grupet e të drejtave kishin sinjalizuar edhe më parë kushtet e rënda në qendrat e procesit të emigrantëve tranzit në Meksikë, teksa përpiqen t’i bëjnë ballë fluksit të rëndë të të ardhurve që i drejtohet SHBA.

“Ngjarjet e mbrëmshme janë një shembull se përse organizatat e të drejtave po përpiqen të eliminojnë ndalimin e emigrantëve në Meksikë,” tha Gretchen Kuhner, i institutit meksikan për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve.

E përditshmja Los Angeles Times shkruante se një zyrtar meksikan tha se emigrantët protestonin pasi 68 njerëz ishin ndaluar në një hapësirë që supozohej të mbante vetëm 50.

24 nga të vdekurit ishin nga Guatemala, njoftuan autoritetet e atjeshme, ndërsa Honduras tha se kishte mes të vdekurve 13 persona.

Përveç 40 personave që vdiqën, 28 janë shtruar në spital të plagosur, thanë zyrtarët meksikanë.

Në pamje të kontestuara të kamerave të sigurisë shihet roje të qendrës që largohen kur tymi përfshin qendrën. Disa njerëz me uniforma shihet që kalojnë para qelisë në flakë pa tentuar të ndihmojnë njerëzit brenda.

E përditshmja El Universal thotë se zyrtarët kishin arrestuar më herët emigrantë që lypnin në rrugët e Ciudad Juárez, që është ngjitur me El Paso, Texas në anën tjetër të kufirit.

FOTO GALERI
1/3
Grupet e të drejtave kanë fajësuar për tragjedinë kushtet e rënda dhe mbipopullimin në qendër për vdekjen e emigrantëve nga Amerika qendrore e jugore

Top Channel