SHBA-të tjetër goditje Milorad Dodikut, Blinken e krahason me Putinin: Po shkon drejt rrugës së autoritarizmit!

29/03/2023 22:45

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë një tjetër goditje presidentit të Republikës Srpska në Bosnjë Hercegovinë, Milorad Dodik, i cili është edhe në listën e personave të sanksionuar nga SHBA.

Përmes një mesazhi në Twitter, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se Dodik po ecën drejt rrugës së Putinit me shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore në republikën ku ai është President.

“Sulmet e Milorad Dodik ndaj të drejtave dhe lirive themelore në Republika Srpska tregojnë se ai është në rrugën autoritare të Presidentit Putin. Departamenti i Shtetit, përfaqësuar nga Ambasadori Murphy, vazhdon të avokojë për të ardhmen demokratike dhe të begatë që e meritojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës”, theksoi Sekretari Blinken.

Retorika gjeopolitike e përdorur nga Dodik, i cili gjatë qeverisjes së tij ka kërkuar vazhdimisht shkëputjen e republikës Srpska nga Bosnja Hercegovina, ka ngritur shumë tensionet etnike në këtë shtet. Për këtë arsye Uashingtoni i kushton shumë vëmendje ngjarjeve në Bosnje-Hercegovinë, dhe nisur nga zhvillimet e fundit, ku Republika Srpska inicioi miratimin e një sërë ligjesh që do të cenonin drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e njeriut, si ligji për median, organizatat joqeveritare, popullatën LGBT etj, nuk ka munguar as “shuplaka” e numrit dy të administratës Biden, Anthonz Blinken.

Së fundi, një çift i të moshuarve boshnjakë ishin rrahur brutalisht nga huliganë serbë në shtëpinë tyre.

Top Channel