Meksikë/ Dhjetëra persona humbën jetën pas zjarrit në kamp, emigrantët kërkojnë drejtësi

29/03/2023 17:16

Emigrantët të cilët u përballën me flakët në kampin ku qëndronin, aty ku humbën jetën 40 persona, vijojnë të kërkojnë drejtësi tek autoritetet meksikanë për situatën e krijuar.

Ata kanë ndezur qirinj në nder të viktimave, njëkohësisht të revoltuar kërkuan hetime të plota për zbulimin e së vërtetës.

Në pamjet e sigurisë të publikuara shihet se si rojet nuk hapin derën e mbyllur në momentin që konstatojnë flakët, por largohen me shpejtësi nga ambienti.

Kjo ka revoltuar edhe më shumë emigrantët e shpëtuar, të cilët tregojnë se kjo tragjedi mund të ishte shmangur.

Sipas presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, mendohet se zjarri është vënë qëllimisht nga emigrantët në shenjë proteste sepse kishin frikë se do të dëboheshin. Por situata mori përmasa më të mëdha duke u kthyer në një tragjedi me dhjetëra viktima.

Autoritetet në bazë të hetimeve të kryera kanë deklaruar se zjarri është vendosur fillimisht nga një emigrant, i cili dogji dyshekun në shenjë proteste kundër dëbimeve që po u bëheshin atyre.

Instituti Kombëtar meksikan i Emigracionit deklaroi se viktimat ishin të gjithë emigrantë meshkuj nga Amerika Qendrore dhe Jugore, ndërsa 28 persona të tjerë u dërguan në spital.

Episodi, më vdekjeprurësi i këtij lloji i regjistruar prej vitesh të tëra në Meksikë, vjen në një kohë kur ky vend dhe Shtetet e Bashkuara po përballen me nivele rekord përpjekjesh për kalim të paligjshëm të kufirit të tyre të përbashkët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA