Bazuar në kontratë, koncesionari EMS shtrihet në kalatat 10 dhe 11 në një sipërfaqe prej 20,5 hektarësh. Kompania paguan 544 lekë për metër katrorë tok në vit, ose thënë ndryshe rreth 110 milionë lekë në vit në total.
Shteti siguron 11 % të të ardhurave vjetore që arkëtohen. Kësaj shume i shtohen edhe 2 % e të ardhurave bruto si taksë koncesionare. Kjo do të thotë se të ardhurat për shtetin shqiptar janë në bazë të volumeve që përpunohen.
Por, çfarë ka ndodhur? Inside Story ka analizuar një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2021 ku konstatohen volume pune të paraportuara, gjë e cila përbën një prej shkeljeve më të rënda.
“Shoqëria koncensionare “EMS”, nuk ka raportuar në lidhje me volumet e punës të kryera me operacionet (shërbimet) prej muajit korrik 2013. Koncensionari “EMS”, vazhdon të kryej procese përpunimi pa e deklaruar dhe të gjenerojë të ardhura, duke ndikuar në uljen e të ardhurave që përfitohen nga Autoriteti Portual Durrës”, thuhet në raportin e KLSH për auditimin në Autoritetin Portual Durrës në vitin 2021.
Ajo që bën përshtypje është arroganca e subjektit privat edhe pas konstatimit të shkeljeve. Autoriteti portual i ka kërkuar të ndalë veprimet në kundërshtim me kontratën por duket se ka qenë i pafuqishëm për të vepruar.
“Me shkresën nr.1164/2, datë 23.03.2015, Ministria e Transportit i ka kërkuar “EMS” ndalimin e veprimtarive të kryera në kundërshtim me kontratën koncensionare, por shoqëria “EMS” ka vazhduar kryerjen e këtyre operacioneve, edhe pas korespodencave të vazhdueshme me Autoritetin Portual Durrës. Këto shërbime iu janë faturuar përdoruesve të Portit Durrsit nga “EMS” në kundërshtim me nenin 8 të kontratës. Ky veprim është në kundërshtim me nenin 8.4. pika 3, ku koncensionari duhet të lëshojë faturat për të ardhurat e tij për shërbimet e ofruara”, vijon raporti i KLSH.
Në vitin 2019, çështja ka shkuar në Gjykatën Administrative ku kompania koncesionare EMS u detyrua ti paguajë Autoritetit Portual të ardhurat e munguara prej 91 milionë lekësh dhe penalitete prej afro 3 milionë lekë. Por, koncesionari ka vepruar duke konsumuar të njëjtat abuzime edhe për periudhën pasuese. Korrespondencat me titullarët e portit zbulojnë se kompania private ka refuzuar në mënyrë permanente të vërë në dispozicion volumet e mallrave të përpunuara. E thënë më thjeshtë, mungesa e raportimeve reale është vjedhje e parave publike që duhet të përfundonin në arkën e shtetit. Bazuar në këto gjetje, ne kemi kërkuar informacion nga zyrtarët e portit që konfirmojnë shkeljet.
“Përbën shqetësim performanca ekonomike e cila nuk është në pritshmëritë e portit por shpesh edhe më e ulët se sa propozimi ekonomik që kanë bërë”, thotë Ilir Hoxha, drejtor i Financës pranë Autoritetit Portual Durrës.
Inside Story ka mundur të sigurojë volumet zyrtare të deklaruara nga subjekti për periudhën 2013-2020. Në total, në terminalin lindor janë përpunuar gjithsej 5.8 milionë tonë mallra ku përfshihen importet dhe eksportet. Por, çuditërisht këto volume përbëjnë diçka më shumë se 50 % të propozimit ekonomik të vetë kompanisë koncesionare EMS. Pra, subjekti kishte premtuar përpunimin e rreth 10.1 milionë tonëve për periudhën referuese. Kjo do të thotë se të ardhurat e parashikuara për shtetin shqiptar janë përgjysmuar.
Top Channel