Inside Story/ Dokumente ekskluzive, Terminali Lindor i Portit iu dha një subjekti pa mundësi ekonomike me lidhje politike

29/03/2023 21:33

Historia e këtij koncesioni në terminalin Lindor nis në 27 Korrik të vitit 2012 kur kompania e regjistruar në Gjermani “EMS Shiping & Trading GMBH” paraqet një ofertë të pakërkuar.

Në 19 Mars 2013 kompania është njoftuar fituese edhe pse ishte ofertuese e vetme. Në 18 Prill 2013 urdhërohet ngritja e grupit negociator me në krye ish-sekretarin e Partisë Demokratike Ervin Minarolli.

Negocimi i kontratës nis në 25 Prill 2013 ndërsa u nënshkrua vetëm 2 javë më vonë, më 6 Maj. Duket se gjithçka është bërë në nxitim e sipër para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013.

Në dokumentin që Inside Story disponon, bie në sy fakti se EMS ishte prezente prej vitit 2009 me operacionet në Portin Durrës përmes kompanisë stivatore në terminalin e kontejnerëve “Albanian Stevedoring Commapy”. Pra, lidhjet me zyrtarët e pushtetit në atë kohë ishin të hershme. Administrator i kompanisë ASC rezulton një person i quajtur Lorin Hoxha.

Nëse shikon në llogaritë e tij në rrjetet sociale, është i qartë aktivizmi i tij pranë grupit që drejtohet nga Sali Berisha në Partinë Demokratike. Ai, rezulton një ndjekës i rregullt në aktivitetet e kandidatit të këtij grupimi në Durrës, Igli Cara. Ajo që bie në sy është fakti se aksionet në këtë kompani shqiptare do të shiteshin më vonë nga konçesionari EMS.

Nuk dihet nëse janë manovra për qëllime të caktuara, por mes këtyre dy kompanive dikur në raport amë dhe bijë, ka pasur proces gjyqësor. Gjykata detyroi kompaninë e regjistruar në Gjermani ti kthejë ASC-së mjetet e saj që kishte në përdorim dhe një vlerë prej mbi 15 mln lekësh fitim të munguar.

Nëse i referohemi kompanive që bëjnë biznes me 3 konçesionarët e portit Durrës, zbërthehen interesat dhe lidhjet politike që favorizuan kontratat e asaj kohe në fushatë elektorale. Aktualisht, siç zbulohet edhe përmes pamjeve rezulton se subjekti “Enginering Maintance Suport” i njohur si EMC, ka një kontratë mirëmbajtje teknike në terminalin e Trageteve. Ky subjekt, ka pasur edhe kontrata të tjera shërbimesh në 3 terminalet. EMC drejtohet nga Eduard Ndreu, ish drejtor i Autoritetit Portual në momentin e nënshkrimit të 3 kontratave koncesionare në Portin Durrës. Pra, zyrtari që dikur ka ndjekur procedurat konçesionare, sot përfiton nga biznesi me këto subjekte.

Në të paktën dy hetime të Autoritetit të Konkurencës në vitet 2017 dhe 2018, konçesionari I terminalit Lindor EMS është gjetur me shkelje pas ankesave nga kompanitë stivadore, një prej të cilave është edhe ASC. Referuar dokumenteve, konçesionari që zotëronte 100 % të rrjedhës së sipërme të terminalit, kishte bllokuar edhe rrjedhën e poshtme duke cënuar subjektet e tjera. Duke qenë subjekt i vetëm që kishte raportin me kompanitë e import-eksportit, pengonte që ato të negocionin me subjektet e licensuara nga Autoriteti Portual për përpunimin e mallrave. Pra, kishte bllokuar edhe këtë aktivitet në masën 100 % duke cënuar kontratat. Këtu, kemi një tjetër shkelje të kontratës konçesionare.

Ne kemi siguruar një letër mjaft intresante të datës 21 Gusht 2013 nga ana e administratorit të kompanisë Manfred Myler për ministirn e atëhershëm Sokol Olldashi. Vetëm 1 muaj pasi konçesionari kishte marrë në dorë operimin e terminalit, kërkonte pezulimin e investimeve të premtuara. Justifikimi ishte kompensimi I zvogëlimit të të ardhurave për kompaninë. Pra, subjekti kërkonte të anulonte investimet që vetë kishte propozuar fill pasi fitoi kontratën.

Por, nuk mbaron me kaq. Fill pasi mori operimin e terminalit, kompania gjermane merr nnë kredi prej 2.5 milionë eurosh në 30 Shtator të vitit 2013. Kolateral vendosen pikërisht 49 % të aksioneve në kompaninë konçesionare. Pra, këto dokumente vërtetojnë se konçesioni i ishte dhënë një kompanie pa mundësi ekonomike për të përmbushur detyrimet kontraktuale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA