Dëshmitari i tretë i prokurorisë në gjykimin kundër Pjetër Shalës ka thënë se babai i tij asnjëherë nuk kishte folur për ndonjë shtëpi të verdhë në Shqipëri.

Ai ka thënë se në pjesën e parë të vitit 1999, babai i tij ishte rrëmbyer në Shqipëri për t’u mbajtur pastaj për gati dy javë në një fabrikë metali në Kukës.

Aty, sipas dëshmitarit, ai ishte keqtrajtuar nga Xhemshit Krasniqi, Pjetër Shala dhe Sabit Geci.

Dëshmitari ka thënë se për Pjetër Shalën dhe incidentin që pretendohet të jetë i përfshirë, i ka mësuar nga babai i tij pasi ishte kthyer nga Shqipëria në qershor të vitit 1999.

  “Pas rastit të babës kur është liruar, kur ka ardhur në Kosovë unë e kam ditë që është Pjetër Shala, si nofka Ujku e kam ditë edhe përpara por nuk e kam njohur kush është Ujku veç kam dëgjuar nga fqinjët, si Pjetër Shala që ka qenë të ne apo ka bërë diçka te babai në Kukës, na nuk e kemi njohur, as pastaj, as nuk e kam parë kurr, përveç kur e kanë qit për gjykatë, e kam parë në fotografi se nuk e kam njohur përpara, veç për babait që ka treguar”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se babai i tij, gjatë mbajtjes që pretendon se ka ndodhur në Kukës, e ka kuptuar që ishte Pjetër Shala personi që kishte sulmuar lokalin e familjes si dhe kishte shkuar pranë shtëpisë së tyre në vitin 1998.

  “Babai ka pyetur, vëllai i madh ka pyetur dhe ka dëgjuar nga ish-luftëtarë të tjerë që kanë qenë që ai ka qenë atje, unë i kam besuar fjalëve të babait se vet i ka thënë Pjetër Shala, komandat Ujku, i ka thënë që unë jam ai, pse ke lyp tjetër kah sepse unë jam ai që takuam gjuajtur kafenë dhe unë jam ai që kam ardhur të shtëpia, pse nuk dol kur kam ardhur të shtëpia, rasti i 1998-ës”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka pranuar se ka dhënë deklaratë për hetuesit në vitin 2003 dhe sipas avokatit, atëherë ai nuk e kishte përmendur Shalën.

Avokati: A pajtoheni me mua nëse unë ju them se ju atë ditë nuk e keni përmendur asnjëherë emrin Pjetër Shala, pra atë ditë kur takuat hetuesit.

Dëshmitari: Nuk më kujtohet.

Ai ka thënë se në të kaluarën ka dhënë shumë deklarata për hetuesit.

 “Ka raste shumë kur kam përmendur, Xhemshit Krasniqi, Pjetër Shala, Sabit Geci që kanë marrë pjesë në rastin e babës dhe keqtrajtimin e babës, për këta tjerët që kanë qenë aty Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, por në rasti ne keqtrajtimit nuk kanë marrë pjesë. Ashtu prej babës çka kam dëgju”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se babai i tij kishte pësuar lëndime fizike dhe psikike për shkak të keqtrajtimit që pretendohet se i është bërë në një fabrikë metali në Kukës.

 “E kanë rrahur disa herë. Xhemshit Krasniqi, Pjetër Shala, Sabit Geci, edhe të tjerë që nuk na i ka treguar emra, ka thënë se nuk i ka ditur”, ka thënë dëshmitari.

Ngjarjet që pretendohet të kenë ndodhur në Kukës, ai ka thënë se i ka mësuar nga babai i tij, të cilin, sipas dëshmitarit, atje e kishin marrë edhe në pyetje.

  “I kanë bërë pyetje si ke punuar atje me policinë jugosllave serbe, i kanë thënë disa gjëra të tjera me pranu që i ke vra 100 vetë dhe ke dhunu, babi i ka thënë qitma një që e kam bërë dhe do t’i pranoj të gjitha. Këtë e kam dëgjuar nga babi. Atëherë i ka thënë Pjetër Shala, pse e ke lyp ti kush ta ka gjuajt kafenë, atë e kam bërë unë dhe pse nuk dole nga shtëpia kur erdha”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se babai i tij kishte punuar polic tërë jetën e tij dhe për këtë e kishin pyetur gjatë mbajtjes në Kukës.

Dëshmitari ka thënë se nuk ka qenë në Shqipëri me familjen e tij dhe babanë e ka takuar vetëm pasi ai është kthyer në Kosovë, sipas tij në qershor të vitit 1999.

Ai ka thënë se babai i tij kishte pësuar lëndime fizike dhe psikike si pasojë e mbajtjes në Kukës. Pas përfundimit të pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari është përgjigjur edhe në pyetjet e mbrojtësit të viktimave.

Ai ka thënë se babai i tij ishte në kërkim të drejtësisë dhe shikonte se ku të drejtohej për t’i treguar ato që sipas tij i kanë ndodhur.

Dëshmitari i tretë i ZPS-së do të dëgjohet edhe të enjten në gjykimin kundër Pjetër Shalës.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Top Channel