Borxhi i përgjithshëm publik është rritur në Gjermani, duke arritur një rekord të ri prej mbi 28,000 € për person. Pjesa më e madhe e borxhit në nivel kombëtar është e lidhur me fondet speciale për COVID dhe energjinë e viteve të fundit.
Borxhi i përgjithshëm publik i Gjermanisë arriti në 2.37 trilionë euro në fund të vitit 2022, një rekord i ri, njoftoi të mërkurën Zyra Federale e Statistikave (Destatis). Niveli i borxhit korrespondonte me një rritje prej 2% – ose 46.1 miliardë euro – nga fundi i vitit 2021, kur pandemia e koronavirusit ishte ende në kulmin e saj, raporton DW.
Sipas Destatis, borxhi publik kombëtar ka arritur në ekuivalentin e 28,155 € për person në Gjermani. Borxhi federal u rrit me 4.6%, ose 71.9 miliardë euro, në një total prej 1.62 trilion euro.
“Kjo është mbi të gjitha për shkak të nevojave të vazhdueshme të larta për financim në dritën e pandemisë gjatë viteve të fundit dhe krizës aktuale të energjisë“- tha agjencia statistikore.
Shkalla e rritjes ekonomike u ul gjithashtu në vitin 2022 krahasuar me 2021 dhe 2020, mes ndërprerjeve më të theksuara të lidhura me COVID.
Rritja e detyrimeve të interesit të Gjermanisë
Borxhi total publik përbëhet nga huamarrja në nivele të ndryshme: federale, shtetërore dhe komunale.
Ndërsa nivelet e borxhit federal dhe komunal ishin rritur deri në fund të vitit 2022, të gjitha, përveç njërit prej 16 shteteve të Gjermanisë, kishin ulur detyrimet e tyre të borxhit, me një total prej 5%, që do të thotë rreth 31.7 miliardë euro. Vetëm shteti lindor i Saksonisë-Anhalt krijoi më shumë borxhe.
Sidoqoftë, edhe pse borxhi publik ka pak të përbashkëta me borxhin privat të familjeve, rritja e borxhit mund të shkaktojë probleme për shkak të rritjes së pagesave të interesit.
“Barra e borxhit nënkupton pagesa më të larta të interesit, të cilat zënë një pjesë në rritje të buxhetit vjetor që do të thotë se paratë mungojnë më pas për shpenzime ose investime domethënëse”- tha për Reuters kryeekonomisti në bankën ING, Carsten Brzeski.
Nga vjen rritja e borxhit?
Pjesa më e madhe e rritjes së huamarrjes në vitet e fundit ishte për të mbushur një fond të posaçëm të koronavirusit, i cili më pas u zgjerua për të vepruar si një fond energjetik pasi kriza energjetike goditi pas pushtimit rus të Ukrainës.
Fondi special i koronavirusit kishte arritur në 52.4 miliardë euro borxhe deri në fund të vitit 2022, në të njëjtën kohë borxhet në fondin e energjisë kaluan për herë të parë 30 milionë euro.
Një tjetër fond i posaçëm u njoftua gjithashtu vitin e kaluar për të modernizuar Bundeswehr-in gjerman me një lejim kredie prej 100 miliardë eurosh, megjithëse kjo nuk ishte përdorur ende deri në fund të vitit 2022.
Brzeski i ING vuri në dukje nivelet më të larta të borxhit në vendet e tjera të Eurozonës, duke thënë se Gjermania “mund ta përballojë ende atë”. Mirëpo, ai paralajmëroi se “rritja është një shenjë e qartë se fondet e mjeteve speciale nuk janë fare asete, por thjesht borxhe shtesë”.
Top Channel