Videoja që tregon ambientet e brendshme të qendrës së emigracionit në Meksikë ku u dogjën 40 emigrantë, i ka shtuar akoma edhe më shumë përmasat e tragjedisë, pasi tregoi se ajo mund të ishte shmangur.
Gardianët shihen aty duke u larguar që të shpëtojnë vetë, teksa qelia e mbushur me njerëz përfshihet nga tymi e flakët, por nuk ua hapin atyre derën. Videoja e klikuar 1.4 milionë herë deri tani u shpërnda nga gazetari meksikan Joaquín López-Dóriga i cili e përshkroi situatën si ‘kriminale’.
Zjarri që shpërtheu në qendrën e ndodhur në qytetin kufitar të Ciudad Juarez thuhet të jetë shkaktuar nga një emigrant i burgosur, i cili dogji dyshekun në shenjë proteste kundër dëbimeve që po u bëheshin atyre. Instituti Kombëtar meksikan i Emigracionit thotë se viktimat e zjarrit ishin të gjithë emigrantë meshkuj nga Amerika Qendrore dhe Jugore. 28 persona të tjerë u dërguan në spital.
Episodi, më vdekjeprurësi i këtij lloji i regjistruar prej vitesh të tëra në Meksikë, vjen në një kohë kur ky vend dhe Shtetet e Bashkuara po përballen me nivele rekord përpjekjesh për kalim të paligjshëm të kufirit të tyre të përbashkët. Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, reagoi përmes një deklarate duke thënë se sekretari i përgjithshëm i organizatës bën thirrje për një ‘hetim rrënjësor të kësaj ngjarjeje tragjike. Autoritetet meksikane nuk i janë përgjigjur kërkesës për informacione se kur është hapur kjo qendër në Ciudad Juarez, çfarë kushtesh ka ajo e sa qendra migracioni janë aktualisht në funksion.
Top Channel