Xi mbështet bisedimet e planifikuara mes Arabisë Saudite dhe Iranit

28/03/2023 08:52

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka biseduar në telefon me princin e kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për të diskutuar një mori çështjesh, përfshirë ofrimin e përkrahjes së tij për diskutimet mes Arabisë Saudite dhe Iranit, ka raportuar media shtetërore.

Xi ka thënë se shpreson që të dyja palët do të vazhdojnë të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre në bazë të rezultatit të dialogut, sipas transmetuesit shtetëror.

Lideri kinez së fundi ka ndërmjetësuar një marrëveshje të papritur në mes të Iranit dhe Arabisë Saudite – dy rivalëve në Lindjen e Mesme – për rinovim të lidhjeve diplomatike.

Marrëveshja midis Iranit dhe Arabisë Saudite nxjerr në pah fokusin në rritje të Pekinit në Lindjen e Mesme, ku qëllim afatgjatë i politikës së jashtme të Xi-së është ta paraqesë lidershipin kinez si një alternativë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Duke vazhduar promovimin e lidhjeve Kinë-Arabi Saudite, Xi ka thënë se të dyja shtetet do ta mbështesin fuqishëm njëra-tjetrën dhe do t’i respektojnë interesat e dy palëve.

Kina dhe Arabia Saudite do të kontribojnë më shumë për të promovuar paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Lindje të Mesme, është cituar të ketë thënë Xi.

Arabia Saudite i ka ndërprerë lidhjet me Iranin në vitin 2016. Afrimi i tyre diplomatik vjen pasi dy vendet janë konfrontuar me njëra-tjetrën në konflikte të ndryshme rajonale.

Analistët kanë paralajmëruar se marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kina, përballet me pengesa përpara dhe se për t’i përmirësuar lidhjet, duhet të bëhet më shumë se rinovimi i marrëdhënieve diplomatike. /REL

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA