Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Prokuroria kërkoi të thirrej si dëshmitar Gazment Bardhi, gjykata rrëzon kërkesën

28/03/2023 11:43

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar që deputeti Gazment Bardhi të thirret si dëshmitar në gjyq për ngjarjen e 21 prillit 2021 në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Në atë kohë Gazmend Bardhi si drejtues politik i PD për qarkun e Elbasanit ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes ku një pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në PD u përplas më armë me një grupim mbështetës të PS.

I vetëdorëzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Arbër Paplekaj në atë kohë ishte truprojë e Gazmend Bardhit.

Gjykata e Elbasanit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë pasi sipas saj nëse Gazment Bardhi do të thirrej si dëshmitar kjo duhet të ishte përcaktuar në fillim të hetimeve.

Ligji përcakton që në bazë të provave të grumbulluara që në fillim përcaktohen dëshmitarët që do të thirren në gjyq. Në rast se gjatë procesit gjenden prova të reja mund të thirren të tjerë dëshmitarë. Por sipas gjykatës prokuroria nuk ka prova të reja. Të kundërtën pretendon prokuroria, sipas së cilës provat e reja kërkojnë Gazment Bardhin në cilësinë e dëshmitarit.

Emri i deputetit të PD është përmendur nga dëshmitarët e tjerë të thirrur në proces ndaj dhe gjykata arsyeton se Gazment Bardhi duhet të ishte marrë në cilësinë e dëshmitarit që në fillim.

Procesi ndaj Arbër Paplekajt dhe punonjësve të policisë të cilët po gjykohen për shpërdorim detyre, vijoi me dëshmi të tjera të parashikuara për seancën e radhës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA