Dy ekstremistë pakistanezë kishin planifikuar të hidhnin në erë sinagogën izraelite në Athinë.

Shërbimet sekrete greke mundën t’i arrestojnë vetëm pak ditë përpara se të përfundonin planin e tyre dhe të lanin me gjak kryeqytetin e vendit.

Sipas policisë greke, dy të arrestuarit jetojnë prej 5 vitesh në Greqi. Ata akuzohen se kishin kontakte me liderin e një organizate terroriste iraniane i cili është në kërkim për vrasje të dyfishtë.

Sipas njoftimit për shtyp të policisë greke, për çdo të vdekur nga sulmi terrorist dy të dyshuarit do të paguheshin me 15.000 euro.

Hetimet nisën mbas marrjes së njoftimit në rrugë operative lidhur me aktivitetin e dy radikalëve pakistanezë,të cilët kohët e fundit po kërkonin bashkëpunëtorë për të marrë pjesë në sulmin kundër sinagogës së Athinës,por edhe një restoranti me pronar një shtetas izraelit në lagjen historike të Athinës, Psiri e cila është zona më turistike e Athinës.

Pasi u lokalizuan prej shërbimeve sekrete nëpërmjet identifikimit dhe sistemit satelitor të gjurmimit,dy të dyshuarit u shoqëruan në ambientet e drejtorisë së anti-terrorit në Athinë dhe u morën në pyetje me metoda speciale.Prej deponimeve të tyre por edhe prej hapjes te telefonave të të dyshuarve,u gjetën edhe komunikimet me kreun e organizatës dhe direktivat që merrnin prej tij.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën edhe skicat e rrugës Asopu në të cilën ndodhet sinagoga dhe restoranti që të do të sulmoheshin si dhe materiale ndihmëse për kryerjen e aktit terrorist, por jo lëndë shpërthyese ose armë.
Dyshohet se mund të përdorej edhe metoda e zjarrëvënies në momentin që ambientet do të ishin plot me vizitorë.

Dy të arrestuarit do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie,ndërsa në disa policia vazhdon operacionin për gjetjen e mbështetësve të tyre në disa zona të Athinës.

Top Channel