Kombëtarja e Shqipërisë do të rikthehet në fushë për dy ndeshjet e radhës kualifikuese në muajin qershor.

Kuqezinjtë do të presin Moldavinë në datën 17 qershor në Air Albania dhe tre ditë më vonë do të vizitojnë Ishujt Faroe. Një moment shumë i rëndësishëm për të besuarit e Sylvinhos, të cilët do të synojnë maksimumin në të dyja ndeshjet, për t’u futur në rrugën e duhur drejt finaleve të kampionatit europian.

Ndaj Polonisë, Sylvinho pati mundësinë që për të parën herë të shohë skuadrën në fushën e lojës, ndërsa tifozët morën sinjalet pozitive nga skuadra, duke shtuar besimin se në këto kualifikuese ekipi mund të arrijë një nga dy vendet e para. Humbja me Poloninë e lë Shqipërinë në vendin e fundit, por barazimi i Moldavisë me Çekinë është një rezultat favorizues për kuqezinjtë.

Fundi i sezonit, është një moment delikat, ku pjesa më e madhe e lojtarëve janë të ngarkuar, por në anën tjetër kuqezinjtë duhet t’i bëjnë detyrat siç duhet, duke menduar se në shtator kundërshtarët e radhës do të jenë Çekia dhe Polonia, dy rivalët direkt për vendet e para.

Periudha deri në ndeshjet e radhës është e konsiderueshme e lojtarë si Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli e Keidi Bare pritet që të rikuperohen, ndërkohë që sytë janë dhe nga Armando Broja, i cili është në pikëpyetje nëse mund të zbresë në fushë deri në qershor.

Loja e treguar në Varshavë jep besim se kuqezinjtë do të kenë rritje në ndeshjet e qershorit, ku së bashku me trajnerin Sylvinho mund të festojnë pikët e para, për të besuar tek objektivi Gjermani 2024./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA