Greqia nuk e ndryshon qëndrimin e saj lidhur me shtetësinë e Kosovës, deklaroi në Beograd presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou.

Kryetarja e shtetit grek ka ndaluar për një vizitë në kryeqytetin serb, ku pas takimit me presidentin Aleksandar Vuçiç, patën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

 “Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin tonë, ne kemi konsistencë në politikë. Greqia e  mirëpret megjithatë Aneksin për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Ohër më 18 mars, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe është e gatshme ta mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në zbatimin e ujdisë”, ka thënë presidentja e Greqisë Katerina Sakellaropoulou.

“Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Europian, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sakellaropoulou i mëshoi idesë se për vendin e vet, prioritet strategjik është perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi në BE do të ofrojë paqe dhe siguri dhe do të parandalojë ndikimin e vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor”, ishte komenti i saj.

Vuçiç pohoi se me homologen greke diskutuan mbi marrëveshjen e arritur në Ohër, si edhe për lidhjen e infrastrukturës dhe stabilitetin energjetik. Ai shtoi se Serbia ka rënë dakord për “blerjen e sasive të caktuara të gazit të lëngshëm” nga Greqia.

 

Top Channel