Ceremonia për 7 ‘yjet e mirënjohjes publike’, Rama paralajmëron futjen në agjendën e qeverisë “miratimin e basteve online”

28/03/2023 11:53

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e nderimit të shtatë sportistëve shqiptarë, të cilët kanë përfaqësuar vendin me dinjitet në disa disiplina të ndryshme duke u shpallur kampionë bote dhe Evrope.

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar me ‘yllin e mirënjohjes publike’ peshëngritësit Briken Calja, Erkand Qerimaj, mundësin Zelimkhan Abakarov, skiatoren Lara Colturi, bilardisi Eklent Kaçi, boksieri Alban Beqiri, Genta Beqja kampione bodybuilding.

“Është nder dhe kënaqësi që sot në vazhdën e një traditë që ka nisur dhe gurin e themelit të së cilës e ka vendosur kampionia jonë me e jashtëzakonshme Luiza, të nderojmë me një ceremoni familjare këtu disa kampionë të tjerë të cilët në gjurmët e një tradite të re që kemi vendosmërinë ta konsolidojmë hap pas hapi, kanë ngritur lart flamurin tonë kombëtar. Me këtë rast dua të shtoj po ashtu se ne jemi shumë të vendosur që ta thellojmë mbështetjen për sportistët elitarë njëkohësisht me mbështetjen për lëvizjen sportive në shkolla”, tha Rama.

Kjo mbështetje financiare sigurisht që lidhet edhe me miratimin së shpejti të ligjit për rikthimin e kompanive të basteve, që sipas kryeministrit, të ardhurat do t’i shkojnë sportit, kulturës dhe teknologjisë.

“Ne së shpejti do të kalojmë më në fund për miratim pasi të hyjë në këto ditë në procesin e konsultimit publik dhe pastaj në miratimin e qeverisë në Kuvend pastaj ligjin për aktivitetin e basteve online që do të jetë një hap i rëndësishëm për të formalizuar një aspekt të këtij aktiviteti bastesh që siç na ka treguar eksperienca, jo vetëm ne nuk kemi mundur ta ndalim, por asnjë vend përfshirë dhe vendet me kontroll të madh autoritarist, pasi është një lloj aktiviteti që shfrytëzon mundësitë e pafundme dhe hapësirat e pafundme të internetit.Sipas ligjit të gjitha të ardhurat do t’i shkojnë sportit, do t’i shkojnë kulturës dhe do t’i shkojnë teknologjisë. Pra kur them teknologji, mbështetja e mëtejshme e edukimit digjital të të rinjve kryesisht”, u shpreh kryeministri.

Top Channel