Pas mbi një dekade ndërmjetësimi në procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, Bashkimi Europian duket se nuk dëshiron të humbasë më kohë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano pohoi se në ditët në vijim, institucionet e bllokut me mbështetjen e liderëve të tij, do të hedhin hapat e parë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, së bashku me Kosovën dhe Serbinë. Si Prishtina, ashtu edhe Beogradi kujtoi ai, janë të detyruara të zbatojnë marrëveshjen dhe aneksin e implementimin, në të kundërt, ta harrojnë anëtarësimin në BE.
“Shefi i Politikës së Jashtme, Josep Borrell do t’i këshillojë të dyja palët në kryerjen e detyrave të tyre sa I takon zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë aneksin zbatues. Tashmë do të jetë në lojë reputacioni i të dy vendeve dhe besimi që ndërkombëtarët kanë tek ato, kështu që duhet të tregojnë se janë partnere të besueshme për BE-në, prandaj është e nevojshme të vihet në jetë ajo që kanë premtuar”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Petër Stano.
Stani theksoi se Borrell edhe një herë i rrëzoi spekulimet rreth nënshkrimit apo vlefshmërisë së marrëveshjes së Ohrit. “Gjithçka që ka ndodhur deri tani në procesin e dialogut, ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet me shkallën e zbatimit të saj, jo me firmat”, është shprehur ai.
Zëdhënësi u kujdes ta nënvizonte se Borrell e ka bërë shumë të qartë se ujdia është finalizuar, se ajo duhet të zbatohet dhe se nuk ka vend për të zgjedhur se çfarë duan palët e çfarë jo”.
Top Channel