“Sulmi më i egër ndaj një mediaje në Shqipëri”/ Reagimi i Braçes: Top Channel është liria e shprehjes e secilit në vend, të zbulohen autorët

27/03/2023 10:05

Sulmi me armë ndaj Top Channel është jo thjesht kriminal, por më i egri ndaj një mediaje në Shqipëri, shkruan deputeti socialist Erion Braçe në një reagim për ngjarjen e natës së kaluar, ku një roje sigurie u qëllua për vdekje nga persona të paidentifikuar.

Braçe i shpreh ngushëllimet familjes së Pal Kolës dhe kërkon vënien para përgjegjësisë së autorëve sa më parë.

“Duke pasur të shënjuar në mendje humbjen e tmerrshme dhe ende të pazbardhur të themeluesit të medias më të madhe në vend, sulmi i sotëm është edhe më i rëndë.

Nuk është ngjarje banave apo e lidhur me arsye banale e gjitha kjo!

Liria e Top Channel nuk është liria e një ndërmarrjeje private, por është liria e shprehjes e secilit në këtë vend.

Ndaj, secili sot duhet të dijë se autorët dhe qëllimin e tyre dhe përgjigjen duhet ta japë shteti. Ai është një ndër garantët e lirive tona.

Mbështetje maksimale e policisë së shtetit për të bërë detyrën deri në fund, zbulimin e vënien para përgjegjësisë së autorëve, tani, sa më parë!

Ngushëllime pa fund për humbjen e jetës së punonjësit në detyrë, ngushëllime familjes së tij!

Solidaritet me Top Channel, çdo gazetar, çdo punonjës të tij!

Patjetër që jeta vjen e para, por liria është çështja jona!

Kurajo!”

Top Channel