Sulmi kriminal në Top Channel, Tabaku: E tronditur nga agresioni ndaj medias, mos mbyllni sytë dhe veshët para tragjedisë

27/03/2023 13:16

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku është shprehur e tronditur për sulmin ndaj Top Channel.

“Nuk mund të mbyllim sytë dhe veshët përballë kësaj tragjedie dhe rrezikut që na kanoset”- shkruan Tabaku, duke u bërë thirrje organeve ligjzbatuese që luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ta kthejnë në prioritet kombëtar.

‘Shpreh ngushëllimet e mia për familjen e të ndjerit Kola që u vra nga një sulm kriminal mëngjesin e sotëm drejtuar medias së Top Channel.

E tronditur nga sulmi ndaj medias dhe shpreh mbështetjen time në këto momente të rënda ndaj Top Channel.

Organet ligjzbatuese kanë për detyrë parësore që të zbardhin ngjarjen ndërsa këmbëngul që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë prioritet kombëtar dhe çështje e sigurisë tonë kombëtare.

Nuk mund të mbyllim sytë dhe veshët përballë kësaj tragjedie dhe rrezikut që na kanoset…’- shkruan Tabaku.

Top Channel është përballur me një situatë të rëndë në orët e para të mëngjesit të së hënës, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës, duke lënë të vdekur rojen e sigurisë, Pal Kola. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.

Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.

Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.

Top Channel